Kuvendi, tri javë hetim Ramës për aferat korruptive
Parlamenti nis procesin e hetimit ndaj kryebashkiakut Edi Rama për aferat korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit. Hetimi do të kryhet brenda tri javëve dhe raporti përfundimtar do të publikohet me datën 14 maj. Komisioni hetimor që do të hetojë veprimtarinë e kryetarit të bashkisë, Edi Rama, filloi punën menjëherë pas miratimit në Kuvend me 68 vota pro. Opozita e kundërshtoi këtë nismë dhe 4 deputetët e saj, të pranishëm në sallë, braktisën punimet e seancës. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, prezantoi nismën para deputetëve. Kështu, brenda tri javëve të mbetura nga jeta e kësaj legjislature, ditën e fundit të saj, në datën 14 maj, do të paraqitet në Kuvend raporti hetimor, sipas të cilit, mazhoranca shprehet se Edi Rama ka dhënë leje me konflikt të pastër interesi. “Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, - tha Xhaferri, - duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mosdërgimin e planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues”.
Për ngritjen e komisionit dhanë firmën 40 deputetët të mazhorancës, nga të cilët, në këtë komision do të marrin pjesë Ferdinand Xhaferri, Aldo Bumçi, Edi Paloka, Lajla Pernaska dhe Gjok Vuksani. Katër vendet e tjera janë rezervuar, sipas ligjit, për opozitën, por kjo e fundit do të braktisë punimet e këtij komisioni.
Hetimi, me sa duket, do të jetë i ngjashëm me komisionin “Sollaku 2”, i drejtuar nga Xhaferri, i cili brenda dy javësh, pa praninë e opozitës, dërgoi një raport në Kuvend, sipas të cilit implikonte ish-kryeprokurorin në çështjen e ekstradimeve.
Për sa i përket drejtimit të komisionit për hetimin e Edi Ramës, ende nuk bëhet e ditur se nga kush do të drejtohet, por gjithsesi, deputeti Bumçi ose Xhaferri mendohet të drejtojnë këtë komision. Hetimi ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës u kundërshtua nga opozita si antikushtetuese, por 4 deputetët e vetëm në sallë nuk preferuan të debatojnë, me përjashtim të Blendi Klosit, i cili tha: “Nuk mund të fitoni duke hedhur baltë mbi Edi Ramën”. Xhaferri iu përgjigj këtij pretendimi se “pavarësia e pushtetit lokal nuk mund të jetë një licencë për të bërë korrupsion”.
Debati
Çështja e komisionit hetimor nuk ishte tema e vetme e nxehtë dje në Kuvend, por si kjo, çështja e kartave të identitetit apo licenca e katërt e operatorit celular, ishin në qendër të diskutimeve, por edhe akuzave. Në fillim të seancës, kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, përsëriti të njëjtën kërkesë dhe më pas, bojkotuan punimet e seancës. “Sot kam rastin të sqaroj një çështje shumë të rëndësishme që lidhet me të drejtat e shtetasve për të votuar”, - tha Leskaj, e cila vetëm pak minuta më parë, kishte braktisur edhe punimet e Konferencës së Kryetarëve, ku u votua kalendari i fundit i punimeve të Kuvendit. Përgjigja erdhi nga Astrit Patozi, i cili deklaroi se Rama kërkon një alibi për humbjen e zgjedhjeve. “Edi Rama nuk është duke kërkuar kartat e identitetit, por është duke kërkuar një kartë për ta pasur justifikim për humbjen e pritshme në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Patozi.