Miraton hapja e filialit të Universitetit Fan Noli në Pogradec
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime për hapjen e programit të studimeve të doktoraturës në disa fakultete të vendit. Këto vendime konsistojnë në hapjen e programit të studimit të doktoratës, në fakultetin e teknologjisë së informacionit, në universitetin politeknik të Tiranës, hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, në universitetin Bujqësor të Tiranës, hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, në Fakultetin e Drejtësisë, në universitetin e Tiranës.
Sipas kreut të qeverisë, këto vendime hapin dritën jeshile për doktoratura në këto universitete. Gjithashtu, në mbledhje u miratuan vendimet për hapjen e filialit të Universitetit Fan Noli në Pogradec. Kryeministri Berisha i vlerësoi këto vendime, si një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të arsimit. Kështu në mbështetje, të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, 11, 25, 26 e 41, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen në qytetin e Pogradecit, të filialit të Fakultetit të Ekonomisë, në programin e studimit të ciklit të parë, për Turizëm. Ky program studimi realizohet me 180 kredite, ECTS, dhe kohëzgjatja normale e tij është tri vite akademike. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të parë, Turizëm, përftohet Diplomë e nivelit të parë, DNP, në Turizëm. Sipas këtij vendimi, ky filial do të fillojë veprimtarinë në vitin akademik 2009-2010. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i universitetin Fan S. Noli, Korçë. Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti Fan S. Noli, Korçë.