E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të ulë moshën e pensionit me 5 vjet, për të gjithë minatorët

Kryeministri Berisha premtimin që ka dhënë në qytetin e Përrenjasit para pak ditësh për minatorësh e ka paraqitur në tryezën qeverisëse. Para pak ditësh nga qyteti i Përrenjasit kreu i qeverisë gjatë një takimi me banorët e këtij qyteti ka theksuar se në mandatin e dytë qeverisës në rast fitoreje në 28 qershor, do të firmose ligjin që ul me 5 vjet moshën e daljes në pension për minatorët. Ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë, është miratuar vendimi i cili do të ketë fuqi prapavepruese dhe do të rrisë kategorinë e pensionit të minatorit. Kryeministri Berisha ngarkoi ministritë përkatëse për të përgatitur vendimin për amendimin e ligjit për pensionet. Ky vendim do të ulë moshën e pensioneve për minatorët me 5 vjet, si dhe do të ketë fuqi prapavepruese, në mënyrë që të mbulojë të gjithë minatorët dhe ish minatorët shqiptarë. Gjithashtu në bazë të këtij vendimi, pensionet e minatorëve do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm për këtë kategori. Ky vendim do të përmbushë një tjetër premtim të qeverisë për trajtimin e veçantë të minatorëve. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por unë vij prapë këtu që tiu premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të uli me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Më kërkoni rritje pensionesh, por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do tjua rris pensionet tuaja, është shprehur Berisha gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Përrenjasit. Sipas tij, reforma evropiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, por lejon rritje pensionesh dhe qeveria është e gatshme për këtë. Ndërsa vetëm pak ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, ka qenë Partia Socialiste ajo e cila ka firmosur një marrëveshje angazhimi me Sindikatën e Minatorëve të Shqipërisë, e cila është firmosur nga kryetari Edi Rama dhe kryetari i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri. Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, duke vlerësuar se vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë mund të përfaqësojë denjësisht interesat e minatorëve të Shqipërisë, si dhe duke vlerësuar programin, ka vendosur se do të mbështesë alternativën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila sipas kësaj sindikate, ka programin më të mirë qeverisës dhe vizionin e duhur politik për drejtimin e vendit. Sindikata e Minatorëve angazhohet përmes kësaj marrëveshjeje që ti bëjë thirrje të gjithë minatorëve të Shqipërisë dhe familjeve të tyre për të votuar alternativën socialiste, si pjesë e koalicionit Bashkimi për Ndryshim në zgjedhjet e Qershorit, 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›