E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ akrediton vëzhguesit e OSBE/ODIHR dhe FNDNJ

Ristani, apel të rinjve për pjesëmarrje në votime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme listën e vëzhguesve të OSBE/ODIR që do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Numri i vëzhguesve ishin propozuar prej kohësh, por miratimi i tyre qe shoqëruar me debate të ashpra në KQZ, sidomos nga të 2 partitë e mëdha, në lidhje me dokumentacionin e tyre. KQZ miratoi dhe akreditimin e 3 përkthyesve të misionit të OSBE/ODIHR, të cilët do të shoqërojnë vëzhguesit e këtij misioni në monitorimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Një muaj më parë KQZ miratoi listën e 32 përkthyesve të këtij misioni. Gjithashtu, po gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi 181 vëzhgues afatgjatë të Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, që do të monitorojnë procesin zgjedhor të 28 qershorit. Monitorimit të zgjedhjeve të përgjithshme sot iu bashkuan edhe vëzhguesit e këtij Forumi, dokumentacioni i të cilit i paraqitur pranë KQZ, ishte konform ligjit. Ndërkohë, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani gjatë një takimi me studentë që votojnë për herë të parë nxiti të rinjtë të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit. Dua tiu nxis të votoni, sepse kjo është shumë e rëndësishme, pasi Shqipëria aspiron të jetë pjesë e komunitetit evropian. Vendet e zhvilluara të BE, që ne duam t'iu bashkëngjitkemi janë bërë të tilla pasi kanë qenë shoqëri të mirë organizuara. Ndaj dhe ne, të gjithë bashkë, të kontribuojmë për organizimin e shoqërisë sonë, tha kryetari i KQZ. Ai i këshilloi votuesit e rinj se duke votuar duhet të zgjedhin atë që mendojnë se është më i miri. Në një leksion të hapur organizuar nga PNUD, kreu i institucionit të administrimit të zgjedhjeve, ka garantuar të gjithë studentët se vota e tyre është e sigurt. Ristani ka përjashtuar mundësin e manipulimit të zgjedhjeve nëpërmjet fletëve të votimit ose shitjes së votës.Fshehtësia e votimit është e garantuar në momentin që voton. Për të parandaluar faktin që mund të votosh dhe ta filmosh votën me celular është mundësia dhe garancia e vetme janë komisionerët që janë aty. Ka një diferencë mes një programi dhe një tjetri, mes një partie a lidershipi dhe një tjetri. I vetmi moment ku ju mund të ndikoni në këto zgjedhje është momenti i votës. Ndaj do ju kërkoja që të votoni dhe ky është mesazhi kryesor që dua tu jap, iu drejtua kryetari Ristani, studentëve. Më pas, në rolin e një lektori ai iu dha shpjegime studentëve mbi procesin elektoral në Shqipëri, ligjin zgjedhor, sistemin e ri proporcional rajonal që do të aplikohet për herë të parë në zgjedhje në vendin tonë, etj. Ndërkaq, duke u ndalur gjithnjë në menaxhimin e procesit zgjedhor nga KQZ, një problem tjetër që po cenon zgjedhjet e qershorit janë listat e zgjedhësve. Kështu, mësohet se listat e zgjedhësve, që kanë disa Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor me ato që disponon KQZ është e ndryshme. Pra ka një mospërputhje midis të njëjtave lista. Këtë fenomen shqetësues e denoncoi përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, ku sipas tij, listat e disa KZAZ, që nuk përputhen me ato të KQZ, janë marrë nga përfaqësuesit e qeverisjes vendore, ndërsa ato të KQZ nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Një situatë e tillë mund të bëjë që zgjedhësit ditën e votimit, mund të ngatërrojnë Qendrën e Votimit ose të mos e gjejnë fare atë, u shpreh Gjonçaj.Çështje tjetër e diskutuar gjatë mbledhjes KQZ, ishte projektvendimi për miratimin e 506 qendrave të votimit në ambiente private. Duke mos arritur të mësonin se, cilat ishin arsyet për caktimin e qendrave të votimit në disa ambiente private, me propozim të përfaqësuesve të forcave opozitare, KQZ-ja vendosi që të shtyjë miratimin e plotë të tyre. Miratimi i Qendrave të Votimit pritet të ndodhë në ditët në vijim, pas një shqyrtimi të hollësishëm në lidhje me subjektin i cili ka propozuar ambientin, ku do të vendoset Qendra e Votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë informacion nga KZAZ-të, të cilat supozohet se kanë të dhëna të plota por edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, kreu i së cilës pritet të raportojë sot në mbledhjen e pasdites.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›