E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, Meta në Fier: LSI, Plan për të dalë nga kriza

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar fushatën e saj elektorale në qytetin e Fierit. Kryetari i LSI, Ilir Meta ka theksuar në fjalën e tij se fitorja e Lëvizjes Socialiste për Integrim është e vetmja mënyrë për të nxjerrë shqiptarët nga kriza që i ka futur qeverisja e Sali Berishës. Fitorja e LSI-së është e vetmja rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, ku e ka rifutur përsëri i njëjti person, Sali Berisha. Ai që e shkatërroi dhe dogji shtetin në 1997. Fitorja e LSI është fitorja e programit tonë theksoi Meta. Mbi 15 mijë qytetarë të Fierit, dolën në shesh për të mbështetur LSI, liderin e saj Ilir Meta dhe kandidatët e LSI në qarkun e tyre. Më tej, Meta tha se koha ecën dhe ne të gjithë duam që koha të vrapojë se mezi po presim që po afron 28 Qershori për të larguar Sali Berishën, dhe për të sjellë në pushtet LSI, dhe të majtën progresiste. Fitoren unë e shoh dhe e ndjej kudo, në të gjithë Shqipërinë. E ndjej aq fuqishëm në Mallakastër, në Gjirokastër, në Përmet, Tepelenë. Sot si asnjëherë tjetër më parë këtu në qytetin e Fierit dhe të enjten në mitingun madhështor të fitores në sheshin Skënderbeu në Tiranë. Fitorja e LSI është fitorja e demokracisë në Shqipëri, është fitore e së majtës progresiste në Shqipëri, është fitore e forcave integruese dhe konstruktive në politikën e majtë, në politikën shqiptare, u shpreh Meta. Sipas tij, fitorja e LSI është fitorja e programit, është fitorja e Planit për Veprim që nxjerr 1 milionë shqiptarë nga varfëria dhe përfaqësojnë programin e vetëm ekonomik, programin e vetëm për punësimin, për uljen e kostos së jetesës për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza. Është programi i vetëm sot që merr përsipër investime në industrinë e naftës, që është aq i rëndësishëm për qarkun e Fierit, që parashikon përveçse respektimin e statusit të ish-ushtarakëve që fatkeqësisht e mohoi Sali Berisha, edhe miratimin e statusit të naftëtarit. Fitorja e LSI është fitorja e shqiptarëve dhe jo e Fazlliçëve që duan të blejnë këtë vend me korrupsionet dhe të Sali Berishës. Fitorja e LSI është fitorja e të gjithë socialistëve dhe progresistëve të vërtetë ndaj atyre hipokritëve që nuk kanë program siç e ka LSI, por që shpërndajnë natën tinëzisht, ata nuk janë të majtë ata janë delenxhinj që duan të bëjnë karrierë që nderojnë zonat e tyre elektorale, vijoi Meta. Gjithashtu, kreu i LSI u shpreh i sigurt se e majta progresiste do të fitojë, sepse do të fitojë LSI, do të fitojë Ilir Meta, do të fitojnë shqiptarët dhe Shqipëria me 28 Qershor. LSI do të dalë forcë e parë në Fier dhe të enjten Tirana do ti thotë Shqipërisë se me 28 Qershor ajo do të jetë e kuqe, sikurse është flamuri i LSI, sikurse është flamuri ynë kombëtar. Rroftë populli i Fierit. Fitore, fitore dhe vetëm fitore, përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›