Zgjedhjet, KQZ-ja miraton formulën e KZAZ-ve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje aktin për përcaktimin e subjekteve politike, të cilat kanë të drejtë të propozojnë anëtarë për Komisionet Zonale Zgjedhore. Formula e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të Kodit të ri Zgjedhor do të aplikohet edhe për ngritjen e KZAZ-ve. PD-ja dhe PS-ja do të kenë nga dy anëtarë, ndërsa Partia Republikane dhe ajo Socialdemokrate do të përfaqësohen me nga një anëtar. Anëtari i shtatë i Komisioneve Zonale Zgjedhore do të hidhet me short, çka do të thotë se në 33 KZAZ nga 66 gjithsej, anëtari i shtatë do t’i takojë Partisë Demokratike dhe në 33 të tjerat do t’i takojë Partisë Socialiste, por ngelen për t’u përcaktuar zonat në të cilat këto subjekte do të jenë të përfaqësuara me raportin 4 me 3. E njëjta formulë për ngritjen e KZAZ-ve do të aplikohet edhe për KQV-të, Komisionet e Qendrave të Votimit. Ndërsa për grupet e numërimit do të përdoret një tjetër formulë, ajo e shortit, ku edhe partitë e vogla parlamentare do të kenë të drejtën e propozimit për anëtarë. Në po këtë mbledhje u zgjodh edhe sekretari i përgjithshëm, e cila do të jetë juristja Eljona Mancaku.