Fushata, hiqen flamujt e PS-së në Sukth
TIRANË Partia Socialiste në Bashkinë e Sukthit ka reaguar për dhunimin e zyrës elektorale të saj, e cila gjendet në qendër të qytezës. Reagimi ka ardhur nga kandidati i majtë për kreun e Bashkisë së Sukthit, Selami Xhelili, i cili ka denoncuar ngjarjen në polici. Sipas Xhelilit, bëhet fjalë për heqjen e flamujve të Partisë Socialiste nga shtyllat, si dhe grisjen e posterave që ka vendosur shtabi socialist për kandidatin Xhelili në vende të ndryshme. Sapo dega e Partisë Socialiste ka bërë denoncimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dy ekspertë të policisë së komisariatit të Shijakut, të cilët kanë marrë të plotë dëshminë e kandidatit të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Selami Xhelili, si dhe të personave të tjerë që rrinë në zyrën elektorale. Kandidati Xhelili është shprehur se flamujt janë hequr gjatë natës, sapo nga Sukthi është larguar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Ai ka shtuar se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës dhe nuk di të citojë ndonjë emër konkret, por është shprehur se kjo është bërë nga rivalët e tij në Sukth. Xhelili ka shtuar se që nga fillimi i muajit prill, disa aktivistë të Partisë Socialiste janë kërcënuar nga persona me pushtet dhe që janë pjesëtarë të PD-së. Për ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës.
A.Kalemasi