E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrëzon ankesën e PD për fletën e votimit

Kolegji Zgjedhor ka hapur siparin e shqyrtimeve të ankimimeve të subjekteve politike në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 Majit, teksa ka rrëzuar dje pretendimet e Partisë Demokratike lidhur me fletën e votimit për këshillin bashkiak të Tiranës. Trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor ka dëgjuar në fillim pretendimet e palës ankimuese, Partisë Demokratike, ku avokatët e saj kanë argumentuar se KQZ në përcaktimin e modeles së fletës së votimit për anëtarë të këshillit bashkiak në kryeqytet nuk ka marrë parasysh marrëveshjen e dorëzuar nga koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, duke hequr nga lista e partive mbështetëse të këtij subjekti dy parti politike, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian dhe Bashkimin Demokrat Shqiptar. Kjo sipas tyre vjen në kundërshtim me Kodin dhe mund të sjellë probleme përsa i përket fletës së votimit për këshillat bashkiak dhe komunal në të gjithë vendin. Por nga ana tjetër përfaqësuesit e KQZ-së, si pala e paditur, kanë theksuar se në miratimin e fletës së votimit për këshillin bashkiak të Tiranës është zbatuar Kodi Zgjedhor. Sipas drejtoreshës juridike të KQZ-së, Dëshira Pasko, KQZ nuk mund të përfshijë në listën e partive të një koalicioni ato parti që nuk kanë paraqitur listë kandidatësh për këtë këshill. Pra, ajo i është përmbajtur logjikës se një zgjedhës nuk mund të votojë për një parti e cila nuk ka kandidatë. Pas konsultimit, Gjykata ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e PD-së si të pa mbështetur në prova dhe fakte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›