Pezull anëtari i katërt i grupeve të numërimit
Partia Socialiste nuk ka mundur të marrë dot anëtarin e katërt të grupeve të numërimit të votave të 8 Majit. KQZ-ja ka shtyrë miratimin e projektvendimit për përcaktimin e partive politike që u takon anëtari i tretë dhe i katërt në grupet e numërimit të votave. Më saktë, KQZ-ja e ka miratuar atë pjesërisht, duke i dhënë LSI-së anëtarin e tretë, por ka shtyrë votimin e pikës së dytë, pra atë që, sipas projekt-aktit, i jepte PS-së anëtarin e katërt. Kjo pasi përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti, ka kundërshtuar logjikën e ndjekur nga administrata e KQZ-së në përcaktimin e forcave politike, që u lind e drejta të kenë anëtarin e katërt të GNV-ve. Kështu, KQZ në projekt-aktin e vet argumentonte se duke qenë se në listën e partive politike të opozitës parlamentare nuk ka parti që të plotësojë kërkesat e nenit 96 pika 1 (që në zgjedhjet e fundit parlamentare të ketë fituar dy mandate deputeti), për analogji të pikës 1, germa a, të nenit 29, të Kodit Zgjedhor, për arritjen e baraspeshimit politik shumicë-opozitë, e drejta për propozimin e anëtarit të katërt të grupeve të numërimit të votave për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 8 Maj 2011, i përket PS-së. Gjithmonë sipas këtij draft-akti, PS-së i takonin dy anëtarë në GNV, ndërsa PD-së një dhe LSI-së një. Por për përfaqësuesin demokrat fakti që Kodi nuk jep zgjidhje për rastet e tilla ku mazhoranca ose opozita nuk ka një parti të dytë që të ketë më shumë se dy mandate, nuk do të thotë që anëtari që u takon këtyre forcave të dyta të mund ta marrë partia kryesore e secilit spektër, në rastin konkret PS-ja, dhe kjo vetëm për të arritur baraspeshimin e GNV-ve. Për këtë arsye ai ka kërkuar nga KQZ që t’i kërkojë Kuvendit gjendjen aktuale të përfaqësimit të partive politike në të, duke paralajmëruar kështu që gjatë mbledhjes së sotme mund të kërkojë që anëtari i katërt të mund t’i jepet ndonjë force tjetër politike (përveç PD-së dhe PS-së) që ka minimumi dy deputetë, siç mund të jetë PDIU. Megjithatë, një gjë e tillë ka pak gjasa që të ndodhë, pasi as një situatë të tillë nuk e parashikon Kodi Zgjedhor, i cili për të ndarë vendet në GNV merr për bazë numrin e mandateve të ndara nga vet ai në vitin 2009 dhe jo gjendjen aktuale të përfaqësimit të partive në Kuvend.