E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fushata politike kryqëzon vallet e Lushnjës

18/05/2005  Për të mos i ngjarë një qyteti që po vdes, lushnjarëve iu besua heqja e valles. Por kokat e nxehta të politikës ia nxinë. Festivali i Parë Mbarëshqiptar i valles, që gati do të priste shiritin më 15-16 qershor, është kryqëzuar. Në skenë ka ngjitur politika.

Ndërkohë që fatura prej 30 mijë lekë të reja ishte prerë nga Ministria e Kulturës për organizimin e të parit aktivitet në të tilla përmasa në qytetin e Lushnjës, kur papritur vetëm pak ditë para saj, dështon.

Arsyeja ende nuk ka dalë në shesh. Por siç duket, kahet e kundërta politike, që kanë hyrë në zonën më të nxehtë elektorale, nuk u token kokat kollaj. Telashi më i madh ka rënë mbi organizatoren, qendrën kombëtare të veprimtarive folklorike. Drejtori i saj, Ermir Dizdari, thotë se është e pamundur që Festivali i valleve të shtyhet për një datë të mëvonshme, si fjala vjen ajo që propozohet nga Bashkia e Lushnjës, në shtator. Pasi axhenda e këtyre lloj veprimtarive vendoset që në krye të vitit, ku nisin njëkohësisht përgatitjet. Festivali i valleve, që bëhet për herë të parë në Lushnjë, plotëson hartën etnografike që ka inicuar qendra e veprimtarive folklorike, duke plotësuar kështu kuadrin e gjithë bazës së trashëgimisë shpirtërore që kanë trevat shqiptare.

Pra, siç shihet, arsyeja është se në qershor njerëzit e politikës janë përfshirë në fushatë elektorale, përfshi të dy krahët. Se kujt i vjen për shtat kjo veprimtari për ta përdorur si fushatë, është ca e dyshimtë. Kur nga një anë, në Lushnjë, pushteti vendor i takon të djathës dhe ai i larti të majtëve.

Në këtë mes, drejtori i Festivalit, Dizdari, që ka bërë listën e mbi 250 të ftuarve nga Kosova, Mal i Zi a Maqedonia, ka arsye që ta quajë Bashkinë e Lushnjës si të zotë të shtëpisë. Sepse, artistët popullorë duhet të hanë e të flenë, të mikpriten.

Dhe Dizdari, duke besuar, thotë se, nëse pushteti vendor largon vëmendjen dhe refuzon këtë veprimtari, lushnjarëve iu humb shansi për këtë vit, duke e nisur që në krye ters.

Në këtë imazh nxiton kryetari i Bashkisë, Kadri Gega, në Lushnjë, kur thotë se të premten do të mblidhet këshilli bashkiak për të vendosur përfundimisht.

“Nuk bëhet fjalë për refuzim të festivalit. Por menduam që qershori nuk është muaji i përshtatshëm për këtë veprimtari”, ka thënë kryebashkiaku Gega.

Me këtë logjikë, i bie që të gjitha veprimtaritë kulturore, individuale a shoqata, institucione të mbajnë frymën për nja tre muaj dhe mileti të dëgjojë bëmat e mitingjeve politike.

Që vëmendja për votë të mos njohë kulturë, por fjalime patetike të përvitshme plot premtime, një rast për sfidë të kulturës. Ndoshta ky është një rast për të njohur qoftë kryetarin e bashkisë, që është i djathtë, qoftë deputetë të majtë, a ministër kulture, që është kavie politike.... Por për rajonin mbarëshqiptar, kjo veprimtari, në Lushnjë, për Dizdarin merr dimensionin e plotësimit të pasurisë sonë, të quajtur trashëgimi shpirtërore.

Për herë të parë në Lushnjë pritet të organizohet Festivali mbarëshqiptar i valleve popullore; Përgatitje prej gjashtë muajsh rrezikojnë që ta kurorëzojnë këtë veprimtari në datat 15-16 qershor; Drejtori Qendrës së Veprimtarive Folklorike, Ermir Dizdari thotë: Festivali dështon po nuk u bë në qershor, pasi është një tjetër aktivitet në hartën e etnografisë; kryetari i Bashkisë, Kadri Gega: Këshilli bashkiak do të vendosë të premten, jo për refuzim, por muaji qershor është i papërshtatshëm për festivalin”

Kryetari i Bashkisë, Kadri Gega: “Këshilli bashkiak do të vendosë të premten jo për refuzim, por muaji qershor është i papërshtatshëm për festivalin”

Drejtor i Qendrës së veprimtarive folklorike, Ermir Dizdari: “E kundërshtova kryetarin e bashkisë me të vetmin argument të qënësishëm, sepse në shtator, ne kemi një tjetër aktivitet, një tjetër veprimtari kombëtare. Këto aktivitete duan një kohë prej më shumë se gjashtë muaj përgatitje dhe nuk mund të ndryshojnë aq papritur”

Ermir Dizdari

Festivali dështon po nuk u bë në qershor

Sapo mbaroi Festivali Folklorik në Gjirokastër, në tetor të vitit që shkoi, drejtori i Qendrës së Veprimtarive Kombëtare Folklorike, Ermir Dizdari, thotë se nisën përgatitjet për Festivalin e Valleve në Lushnjë. Data u caktua qysh në fillim, që në 15-16 qershor vallet popullore të të gjitha trevave shqiptare Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, ku përfshihen mbi 250 të ftuar, të fokusohen në Myzeqe. Ishte e vetmja zonë etnografike e pashfrytëzuar në kuadrin e hartës rajonale të veprimtarive për pasurinë e trashëgimisë shpirtërore. Pra, më shumë se gjashtë muaj për të parin aktivitet rajonal për vallen, dhe krejt papritur Bashkia e qytetit të Lushnjës vë në pikëpyetje organizimin e saj në muajin qershor. Sugjerimi për në muajin shtator, për Dizdarin është e pamundur, pasi krijon përplasje me një veprimtari tjetër popullore, për të cilën janë dashur po aq muaj përgatitje. “Nuk e di se si do të zgjidhet kjo situatë, por, nëse Bashkia e Lushnjës nuk vendos për muajin qershor, kjo do të thotë dështim”, thotë Dizdari.

Si lindi ideja e Festivalit të Valleve në Lushnjë?

Në fakt, është menduar që më 15-16 qershor të organizohej Festivali Mbarëshqiptar i Valleve në Lushnjë. Dhe ky festival, siç jeni në dijeni prej shumë vitesh, është në kuadrin e festivaleve rajonale që ka iniciuar qendra kombëtare e veprimtarive folklorike. Është Festivali i Polifonisë në Vlorë, që përfaqëson gjithë Shqipërinë Juglindore, është i kabasë në Korçë, i rapsodëve popullorë në Lezhë, që përfshin gjithë Shqipërinë veriore, është dhe Festivali i Këngës Popullore Qytetare, që zhvillohet në Elbasan. Sigurisht, këto veprimtari rajonale janë vendosur në bazë konsulte nga një grup specialistësh, dhe në bazë të një ndarje etnografike dhe jo ndarje administrative të Shqipërisë. Pra, janë katër-pesë pellgje që kultivojnë këto lloj muzike dhe lloj kënge, duke e alternuar dhe me zona të tjera. Në këtë kuadër, ne na kishte mbetur një pellg shumë i madh, siç është Myzeqeja, por ashtu siç është kënga qytetare, na kishte mbetur edhe vallja.

Por ekziston një festival, siç është ajo e valleve dyshe në Librazhd, që nuk është organizuar prej dy vitesh, mos është kjo e transferuar në Lushnjë?

Prej vitesh, më parë, e patëm iniciuar Festivalin e Valleve, madje, janë dhe projekte të gatshme.

Por prej disa kohësh kjo kaloi në Librazhd dhe ky qytet mori iniciativë vetë dhe organizoi për dy vite me radhë Festivalin e Valleve dyshe. Ishte me të vërtetë një festival me shumë interes, i organizuar mjaft mirë. Por duke pasur mundësi të pakta financiare dhe organizative, pasi mbeti një iniciativë e një shoqate atje, dhe bashkisë së Librazhdit, ajo u bë vetëm dy a tri vite rresht dhe tani ka dy vite që nuk organizohet më.

Pra, në këtë boshllëk, në këtë vakum, ndarje etnografike në këto blloqe të mëdha të muzikës popullore, apo siç thuhet të trashëgimisë shpirtërore, ne qysh vjet patëm bërë kërkesë që të ishte dhe ky lloj aktiviteti dhe të zhvillohej në Myzeqe, sepse gjithë ajo zonë që është Myzeqe e Madhe, e Vogël, është Myzeqeja e Vlorës, Beratit etj., deri afër Golemit të Durrësit, janë zona etnografike të futura në këto njësi administrative. Përveç këtyre, për t’i dhënë një diapazon këtij lloj evenimenti për ta mos organizuar veç si valle dyshe, menduam ta trajtonim si gjini e trashëgimisë shpirtërore të valles në tërësi.

Pra, këtu marrin pjesë valle të përziera, grash, burrash, etj., ku futet dhe vallja dyshe.

Si në këtë Festival të Valles, ashtu dhe në të gjithë veprimtaritë e tjera rajonale të trashëgimisë shpirtërore, ne kemi bërë pjesëtarë në kushte krejt të barabarta dhe sipas llojit të aktivitetit dhe trashëgiminë shpirtërore të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Të katër rajonet, bashkë me Festivalin e Valleve të Myzeqesë, mendojmë që të plotësojmë të gjithë gjeografinë joadministrative, por etnografike të trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Dhe, kjo ka bërë që gjithë këto vit, nuk është rastësi që festivali i 2004-ës i Gjirokastrës, po t’i referohemi të gjitha ekstremeve, të rezultonte aq i suksesshëm, që ishte vërtetë mbarëkombëtar, sepse dhe përfaqësimi jo vetëm i të gjithë trevave shqiptare, por dhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, sepse deri më ’97-ën nga ai shkatërrim nuk kishte mbetur dhe kjo jashtë. Ishin vjedhur, djegur dhe nuk ishin rinovuar kostumet popullore, instrumentet, grupet ishin shkrirë, pothuaj ishte tërësisht e mbyllur kjo lloj veprimtarie. Dhe, ne duke u organizuar në këto treva, nga viti në vit, ku merrnin pjesë gjithë këto zona, sensibilizuam dhe ndihmuan qendrat kulturore dhe disa individë, pasionantë pa asnjë interes, që ky kontigjent me çfarë u kishte mbetur të dilnin në dritë. Mbi këtë përvojë erdhi Festivali i 2004-ës në Gjirokastrës. Duke pasur parasysh gjithë këto prurje, ne ideuam nga viti në vit, sidomos nga dy vjet kur u ndërpre në Librazhd vallja dyshe, dhe në 2004-ën sugjeruam që dhe kjo trevë e Myzeqesë mund të aktivizohej, mund të kishte këtë veprimtari. Në tërësinë e trashëgimisë shpirtërore, kjo gjini, pra na kishte mbetur jashtë aplikimit si veprimtari e përmasave mbarëshqiptare.

Sa kohë ka që përgatitet qendra për këtë festival?

Pothuaj me të mbaruar Festivali i Gjirokastrës, që, gjithsesi ishte një volum shumë i madh pune, ne filluam që për 2005-ën krahas këtyre katër veprimtarive të kishim dhe këtë festival të valleve në Lushnjë. Për fat dhe këtë projekt arritëm ta plotësojmë, sepse Ministria e Kulturës e firmosi festivalin, dhe ne e kemi këtë në rreshtin e veprimtarive kombëtare që ka ministria.

Nga praktika e katër e festivaleve, ne bëjmë një bashkëpunim shumë të ngushtë me pushtetin vendor, sepse është fare normale. Një veprimtari pavarësisht se e iniciojmë ne, nga ana teknike dhe administrative ne si institucion i veprimtarive të tilla, rëndësi shumë të madhe ka dhe pushteti vendor, që ka pjesën e vet të angazhimit. Sipas statusit ka dhe një komitet organizativ, që aty bëjnë pjesë dhe kryetari i bashkisë dhe drejtori i qendrës kulturore.

Konkretisht për këtë festival, ne kemi bërë shumë takime në bashki të Lushnjës dhe kemi ndarë angazhimet për këtë veprimtari. Kryetari i Bashkisë ka qenë shumë i gatshëm, nuk e teproj, pa fyer dhe dashamirësinë e kryetarëve të tjerë, kur them se ka pasur.

Është vendosur pas shumë takimesh, në prani të regjisorit të kësaj shfaqjeje, vendi ku do të bëhej, ftesat, programet posterat, gjithë publiciteti.

Pse ju zgjodhët datat 15-16 qershor për organizimin e kësaj veprimtarie, cila është strategjia për vendosjen e kohës?

Ne menduam që dy veprimtari mund të zhvillohen në gjashtëmujorin e parë dhe të tjerat në të dytin. Sepse ne nuk mund të organizojmë të pesta veprimtaritë në muajt e parë të vitit, nuk është normale. Në këtë rast nuk menduam as për zgjedhjet politike, por menduam shpërndarjen proporcionale vjetore. Gjithsesi e dinim këtë periudhë dhe bëmë çmos që ta tërhiqnim sa më para këtë festival, sepse gjendja nuk mund të ishte e favorshme, siç ndodh zakonisht në Shqipëri. Por, ne lamë që këto dy veprimtari të ishin në gjashtëmujorin e parë dhe tre të tjerat pas zgjedhjeve.

Në shtator të kishim një tjetër veprimtari dhe një tjetër në nëntor. Ndërsa në mars ne organizuam Festivalin e Këngës Qytetare.

Por papritur trazohen planet, është pezulluar, ka dështuar, çfarë ka ndodhur realisht me festivalin që pritej të ishte i pari në Lushnjë për vallen popullore shqiptare?

As pezulluar, as dështuar, nuk ka ky festival. Sepse herën e fundit që isha në Lushnjë, ditën e premte, i ndamë fare mirë punët me kryetarin e bashkisë. Madje, kryetari mori përsipër të bisedonte për akomodimin e të ftuarve dhe disa detyra të tjera që ka pushteti vendor. E kishim lënë që të hënën do të takoheshim për të çuar punën më tej, për të ndarë akoma më mirë detyrën. Ndërsa ditën e diel, isha me piktorin Ilir Martini, që do të bëjë dekorin, duke studiuar gjithë vendin. Kur të hënën i telefonova kryetarit të Bashkisë, normalisht për të ditur se deri ku kanë shkuar punët, ai m’u përgjigj se kishte folur me kryetarin e këshillit bashkiak dhe sekretarin, dhe i kishin thënë se për shkak të zgjedhjeve duhej që festivali të transferohej në shtator.

Kur e kundërshtova me të vetmin argument të qenësishëm, sepse në shtator ne kemi një tjetër aktivitet, një tjetër veprimtari kombëtare. Këto aktivitete duan një kohë prej më shumë se gjashtë muaj përgatitje dhe nuk mund të ndryshojnë aq papritur.

Kryetari më shpjegoi se e kishte mjaft të vështirë vendimin. Kaq ishte biseda me të.

Ku do ta çoni më tej zgjidhjen e këtij problemi?

Nuk e di si ta çojmë më tej këtë problem, sepse pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e pushtetit vendor, ne nuk veprojmë dot, nuk zhvillojmë dot veprimtarinë atje. Pasi domosdo duhet mikpritja e të zotit të shtëpisë.

Kjo do të thotë se rrezikon që të mos organizohet këtë vit kjo veprimtari?

Ndoshta dhe mund të rrezikojë, nëse ata nuk vendosin. Do mundehem të bisedoj dhe njëherë me kryetarin e bashkisë, por mendoj përfundimisht se, nëse pushteti vendor nuk merr pjesë, ne dështojmë. Si mund të shkojmë në Lushnjë me mbi 200 të ftuar, nëse nuk na drejtojnë që nga elementarja se ku do flenë, është një problem i madh. Momentalisht, pra, kjo është situata dhe nuk di se si mund të zgjidhet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›