E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nafta pa akcisë, 7 milionë USD fitime për bujqësinë

18/05/2005  Heqja e akcizës pritet që të rrisë sipërfaqen e mbjellë

DURRES - Vendimi i qeverisë shqiptare për subvencionin e naftës ka nxitur fermerët në Durrës të rrisin sipërfaqen e mbjellë me kulturë bujqësore dhe kryesisht me perime. Heqja e akcisëz për karburantet pritet që të rrisë me 18 për qind sipërfaqen e mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore, ndërkohë që përfitimet në 6-mujorin e dytë të vitit pritet të shkojnë në rreth 7 milionë dollarë.

Kushtet e favorshme natyrore të këtij rrethi, por edhe tregu i garantuar për shitjen e produkteve bujqësore, madje edhe mundësia e eksportimit të një sasie të konsideruar të prodhimit, janë frenuar deri më tani si pasojë e çmimit të lartë të naftës për mekanikën bujqësore, si dhe të çmimit të lartë të punimeve. Fermerët për shumë vite kanë qenë të pambrojtur në këtë drejtim, pasi ata janë detyruar të blejnë naftë me çmime shumë të larta, ndërkohë që e kanë pasur të pamundur të përballojnë edhe çmimin e punimeve të tokës. Ky realitet i dhembshëm për ta, pritet që këtë sezon të fillojë ndryshimin.

Akciza

Pikërisht dalja e vendimit të qeverisë më 6 maj 2005 "Për miratimin e Projektit Pilot dhe të skemës së furnizimit me karburant, pa akcizë, për përcaktimin e sasive të karburantit, që do të përdoret për mekanikën bujqësore në tri zona të vendit dhe për serat me ngrohje”, ka nisur të tregojë efektet e para. Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Durrës, në bashkëpunim me shoqatën e fermerëve kanë përpunuar të gjithë të dhënat që do të duhet për të përcaktuar dhe klasifikuar fermat dhe fermerët që do të përfitojnë.

Gjatë vitit të kaluar, projekti pilot, ku janë përfshirë edhe disa sera me ngrohje në Durrës, Fushë Krujë e Kavajë, është cilësuar shumë rentabël, ndërsa projekti këtë vit ka zgjeruar gamën e fermave që do të përfitojnë.

Zbatimi i projektit pilot për heqjen e akcizës së karburantit në kuadër të projektit “2KR”, rezultoi një model i mirë, pasi fermerët kanë ndjerë nevojën e politikave lehtësuese në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, për uljen e kostos së produktit në këtë fushë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga specialistë të bujqësisë, projekti parashikon që të rrisë deri në 18 për qind sipërfaqen me kulturë bujqësore. Kjo do të shoqërohet edhe me rritjen e shkallës së mekanizimit të bujqësisë deri në 30 për qind, ndërkohë që çdo familje fermere e pëfshirë në skemën e mësipërme të përfitimit të naftës pa akcizë do të përfitojë deri në 150 dollarë, si pasojë e rritjes së sipërfaqes nën kulturë. Ajo që mbetet për të pritur edhe për disa kohë është përcaktimi i sasisë së naftës që do të përfitojnë me çmim të ulët, si dhe sipërfaqja që duhet të ketë çdo fermer, që të jetë pjesë e projektit. Sipas drejtuesve të bujqësisë, kjo ka ndikuar edhe në një drejtim tjetër, në atë të bashkimit të sipërfaqeve për krijimin e sipërfaqeve të përbashkëta.

Projekti

Sipas projektit, parashikohet që fermerët, të cilët kryejnë punime të mekanizuara në bujqësi, të cilët kanë sera me ngrohje dhe subjektet që kanë kaldaja në linjat e përpunimit të qumështit të furnizohen me karburant dhe lubrifikante pa akcizë. Specialistët kanë thënë se produkti i këtij vendimi do të ndihet në 6-mujorin e dytë të këtij viti, i cili në nivel vendi është llogaritur të arrijë në 7 milionë dollarë.

Nga ana tjetër, tarifat e shërbimit për punimet e mekanizuara në bujqësi, do të ulen në të njëjtën përqindje që do të rritet shkalla e mekanizimit. Pas këtij vendimi, specialistët janë të bindur se tregu do të afrojë të tjera çmime në tregtimin e prodhimeve që do të jenë shumë më të ulëta sesa ato që afron sot. Në Durrës krahas dy serave me një sipërfqe 25 ha dhe 20 ha, ka nisur ngritja edhe të disa serave të tjera, por me sipërfaqe më të vogël. Krijimi i një tregu me më shumë konkurrentë do të ndikojë drejtprdrejt në çmime të pranueshme për blerësin.

Ajo që mbetet ende e pa përcaktuar është sasia e naftës që do të përfitojnë fermerët si dhe kategorizimi i përfituesve, që thuhet se do të jetë në varësi të sipërfaqes së mbjellë më kulturë. Nga pohimet e drejtuesve të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Durrës mësohet se deri në fund të këtij muaji do të saktësohet gjithçka, ndërkohë që ky institucion është në përfundim të formularëve që do të pasojë me listën e përfituesve.

Heqja e akcizës

7 milionë dollarë përfitime nga bujqësia

150 dollarë përfitime çdo familje fermere

18 për qind më shumë sipërfaqe e mbjellë

30 për qind rritje shkalla e mekanizimit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›