E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Opozita e PS-së duket si e trukuar

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, shprehet në intervistën e tij për gazetën "Panorama", se opozita që po bën Partia Socialiste kalon në ekstreme, nga opozitë luftarake me bilbila dhe bllokime të Parlamentit, në një opozitë të qetë dhe të urtë, e cila të jep përshtypjen e një opozite të trukuar. 

Aristir Lumezi

Pëllumbi ofron një pakt me katër pika për bashkimin e të majtës, i cili nëse nuk arrihet mund të çojë në dështimin e zgjedhjeve të 2009-ës. Ndërsa çështjen e hapjes së dosjeve, ish-kryetari i Kuvendit e konsideron si një lojë të Berishës për t'u treguar antikomunisti i betuar dhe për të justifikuar veprimet e tij për të kontrolluar të gjitha institucionet dhe pushtetet në vend.
Profesor, padyshim e keni ndjekur debatin që po dominon skenën e sotme politike në këtë verë të nxehtë, për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Lidhur me këtë temë, a mund të na jepni   opinionin tuaj për lexuesit e "Panorama"-s?
Eh ç'po më kthen prapa në kohë dhe për një lojë politike për të cilën më është dashur të shprehem herë pas here, sepse ka pasur uljet e ngritjet e veta në vartësi të luftës politike të ditës. Gjithsesi, në çdo rast, protagonist kryesor i nxjerrjes në skenë të rrezikut komunist, edhe shumë vjet pas përmbysjes së tij, ka qenë dhe vazhdon të jetë Sali Berisha. Që të flitej dhe të veprohej kundër komunizmit në vitet e përmbysjes demokratike, ishte plotësisht e përligjur. Që të kërkohej dënimi i praktikave totalitare dhe të merreshin në mbrojtje viktimat e periudhës së diktaturës, po ashtu. Dhe duhet pranuar se forcat politike dhe institucionet demokratike të porsakrijuara, nuk mbetën prapa vendeve të tjera ish-komuniste në këtë drejtim gjatë tranzicionit politik paskomunist. Megjithatë, ndryshe nga të tjerët, që e mbyllën relativisht shpejt kapitullin e së kaluarës, për të parë dhe ecur përpara, te ne ende vazhdon të quhet si problem kryesor "dekomunistizimi", paçka se nuk ka dhe nuk mund të ketë pas 18 vjetësh ndonjë bazë apo rrezik komunist, sepse edhe ish-komunistët u bënë pjesë e rendit demokratik dhe kjo, sipas disidentit të mirënjohur polakut Adam Meçnik, "është një fitore e madhe e demokracisë". Ndërkohë tek ne vazhdojnë të krijohen situata paradoksale. Edhe për plagë dhe kriza të shoqërisë së sotme, për mangësi, defekte dhe paaftësi të qeverisjes, shkaku kërkohet te mungesa e distancimit nga komunizmi! Madje, edhe për tragjedinë e Gërdecit, fillimisht gishti u vu mbi komunizmin, që paska lënë shumë depo me armë e municione ...Edhe nëse nuk po zgjidhet çështja e pronës, e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, e luftës kundër korrupsionit etj., përsëri fajin e paska mungesa e distancimit nga komunizmi dhe nga diktatori Enver Hoxha, qenia sipas Berishës e PS-së "trashëgimtare me ligj dhe fryme e Partisë së Punës". Tërë qëllimi është që Berisha të vazhdojë të ketë një "kundërshtar historik", që të përligjë synimin e tij për të kontrolluar të gjitha institucionet e pushtetet, që të përligjë luftën me kundërshtarët politikë me metoda tipike makiaveliste, që të vazhdojë të mbajë para faktorit ndërkombëtar aureolën e luftëtarit demokrat të pakompromis kundër komunizmit, meqë dështoi në luftën kundër korrupsionit që pati premtuar.
Por Berisha i rikthehet herë pas here kësaj teme...?
Nuk është e rastit që temën e dekomunistizimit Berisha e aktualizon në situata të vështira për të, siç është çështja e Gërdecit, për të cilën ka përgjegjësinë kryesore dhe jo vetëm morale. Ndërkohë kemi hyrë në vitin elektoral dhe dihet, kur vendi u afrohet zgjedhjeve, Berishës i pëlqen t'i kthehet strategjive dhe taktikave të vjetra, por të "sprovuara" që lidhen përsëri me rrezikun komunist për përballimin e të cilit politika shqiptare paska një specialist të pazëvendësueshëm me emrin Sali Berisha! Ta dinë mirë ata që kanë filluar të "kakarisin" në PD, ta dijë mirë Presidenti, edhe Këshilli i Evropës, megjithëse ngre komision të posaçëm për distancim nga komunizmi të kryesuar nga një deputet i PD-së dhe në kohën që Berishës i duhej më tepër se asnjë herë tjetër.! Ndërsa opozita le të vazhdojë të vegjetojë si opozitë virtuale, sepse nuk paska "asnjë element që të rrezikojë fitoren e saj në zgjedhjet e 2009-ës"!
Sipas mendimit tuaj, çështja e hapjes së dosjeve është pjesë e skenarit që analizuat, apo ka ndonjë zhvillim të ri për ta mbyllur një herë i mirë këtë temë, e cila vë në lëvizje si me sustë mbarë opinionin publik, por dhe tepër "pikante" për mediat?
Veprohet sipas të njëjtës logjikë: të mbahet çështja e hapur të përdoret si "kopaçe", të aktualizohet në vartësi të politikës sa herë që do të tërheqësh vëmendjen e opinionit në mënyrë asimetrike nga vështirësitë dhe problemet reale. Thënë ndryshe, në politikë përdoren edhe zhurmat, edhe hiletë e momentit, të cilat Erazmi, shekuj më parë i quante me ironi   "vaji i rrotave të jetës", veçse në rastin tonë "rrota e dosjeve" është zhytur në baltë dhe nga "zhurmë shoqëruese e politikës" është shndërruar në politikë dominuese, aq sa krijohet përshtypja se këtu qenka "Nyja Gordiane", prerja (hapja) e të cilës i zgjidhka të gjitha hallet e demokracisë shqiptare! Vini re karakterin ciklik të aktualizimit të problemit. Që nga viti 1992 e deri sot, vazhdon diskutimi: "Të hapen apo të mos hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit". Komisioni "Bezhani", deri në vitin 2001, bëri një punë që u vlerësua e mirë për kontrollin dhe hapjen e dosjeve për pastërtinë e figurave të politikës dhe institucioneve kryesore të shtetit. U verifikuan rreth gjashtë mijë persona. Ndërkohë doli se dosjet, në përmasat virtuale të paraqitura para opinionit nuk ekzistojnë më, se ato, herë me ligj e herë pa ligj janë asgjësuar, ndërsa ato që mund të kenë shpëtuar pas 18 vjetësh, nuk do të kishin ndonjë vlerë edhe po të hapeshin.
Mendoni se ka ende dosje në arkivat e Ministrisë së Brendshme apo ato janë zhdukur?
Thuhet se ekziston lista e bashkëpunëtorëve, por sipas specialistëve ajo nuk është e saktë, sepse në vite qenkan hequr e shtuar emra në funksion të politikave të ditës dhe të luftës politike midis partive. Qarkullimi i lloj-lloj pseudonimeve në media, veçse ngjall kuriozitetin e njerëzve dhe ushqen thashethemet e kafeneve, aq shumë të preferuara si formë "hakmarrjeje" ndaj politikës e politikanëve. Për këto arsye them, se edhe sikur të miratohet nga Parlamenti një nga projektligjet e paraqitura, që kanë dalë jashtë çdo afati kohor, nuk ka për të pasur hapje dosjesh. Zhurmë ka e do të ketë, por përfitimi politik për Berishën e qeverisjen e tij ka për të pasur efektin bumerang. Megjithatë, nuk dua të jem kategorik, nëse ka vërtet gjëra konkrete, të dhëna bindëse, denoncime ndaj personave konkretë që u kanë sjellë pasoja, le të bëhen të njohura për publikun sipas procedurave ligjore dhe proceseve të rregullta gjyqësore. Veçse duke mbajtur parasysh, së pari, se përgjegjësia kolektive është e papranueshme në kushtet e demokracisë, së dyti, se logjika demokratike është kundër politikës së revanshit, dhe, së treti, se shumica e njerëzve tek ne vazhdon të besojë, pa reflektuar gjë, që mund të krijojë tensione politike e zinxhir vetëgjyqësish, konflikte të ashpra. Gjithsesi, procesi ka nevojë për transparencë dhe jo për zhurma! Boll me zhurma!
Zoti Pëllumbi, problemet që trajtuat deri tani duken si probleme tipike të tranzicionit, ndërkohë ju në librin tuaj "Demokracia dhe zëri i moralit", që ka dalë në qarkullim para disa muajve, mbroni tezën që tranzicioni politik paskomunist ka përfunduar. Mos ka ndonjë gjë që nuk shkon, që ka mospërputhje?
Ju falënderoj sinqerisht për pyetjen, së pari, sepse dëshmon që e kini lexuar librin dhe, së dyti, sepse më jepni mundësi që të sqaroj edhe një herë një çështje për të cilën ka një konfuzion teorik të pafalshëm që ndikon drejtpërsëdrejti mbi politikën, përfshi dhe problematikën që ngërthejnë pyetjet për dekomunistizimin dhe hapjen e dosjeve. Si rregull, konceptet, idetë dhe arritjet e politologjisë shqiptare nuk vlerësohen nga politikanët, prandaj dëgjohen rëndom lloj-lloj konceptimesh për tranzicionin si dhe formulime voluntariste alternativash në lidhje me të ashtuquajturin përfundim të tranzicionit politik. Në çdo rast, ai lidhet me fitoren e "X"apo "Y" force politike në zgjedhjet e radhës! Kur fitorja nuk arrihet, kuptohet, tranzicioni zgjatet e zgjatet... Madje, edhe ndonjë parti e porsa formuar, pa ditur realisht se për çfarë bëhet fjalë, guxon të marrë përsipër "përfundimin e tranzicionit që për 18 vjet ka kapur peng Shqipërinë". Sipas mendimit tim, duhet të ndahet tranzicioni politik paskomunist, që tashmë ka përfunduar, nga faza e konsolidimit e modernizimit të shoqërisë demokratike, që ka të tjerë parametra dhe që kërkon një kohë më të gjatë (për më gjerë argumentet lexuesi mund t'i gjejë në kapitullin e parë dhe të tretë të librit "Demokracia dhe zëri i moralit"). Ndërkohë, do të nënvizoja se deklarimet rreth një "tranzicioni pa fund" nuk janë as realiste, as shkencore dhe aq më pak me vlerë praktike, sepse vihen në funksion të politikave të ditës dhe të mbajtjes ndezur të konflikteve rraskapitëse midis forcave politike. I tillë është, si debati për dekomunistizimin e shoqërisë së sotme shqiptare, ashtu dhe ai i hapjes së dosjeve, që ndizen pikërisht kur vendit i duhet një projekt pajtimi e paqeje sociale. Kjo shoqërohet pastaj me paradoksin e radhës: në takimet ndërkombëtare të kohëve të fundit Shqipëria paraqitet veçse e suksesshme, me bum zhvillimi dhe e gatshme për të aplikuar si vend kandidat për integrim në Bashkësinë Evropiane, ndërsa këtu, brenda vendit, paraqitet tepër problematike, ende në tranzicion politik, ende me mungesë të paqes sociale, ende me "rrezikun komunist" nëpër këmbë, me një opozitë "që nuk lejon dënimin e krimeve të komunizmit". Sikur të mos ishim nën monitorim si vend që kemi nënshkruar MSA-në. Ka ardhur koha për të qenë më seriozë dhe të moralshëm në politikë, sepse shqiptarët duan të jetojnë në një vend normal, ndryshe do të "përtypim" një vonesë tjetër të ndëshkueshme.
Si do ta vlerësonit rolin e opozitës lidhur me çështjet politike për të cilat po debatohet sot, a po bën mirë që, shpesh, i injoron duke u marrë me "punët e veta" opozitare, me programin, me dialogun me Shqipërinë, me bashkëpunimin me PD-në për Reformën Zgjedhore, ndryshimin e rregullores e ndonjë tjetër?
Opozita, në fakt, sot nuk është unike, prandaj çështjet që ju shtruat me pyetjen tuaj kanë të bëjnë kryesisht me PS-në. Edhe unë kam rezerva për mënyrën e të bërit opozitë nga kjo forcë kryesore opozitare. Ka kaluar nga ekstremi në ekstrem, nga një opozitë e zhurmshme me bojkotime, prishje të seancave duke u fryrë bilbilave, trumbetave e me zhurmime të tjera që patën efektin bumerang, në një opozitë të qetë, të urtë, që edhe kur kërkon diçka të arsyeshme, dhe nuk i pranohet nga maxhoranca, tërhiqet për t'u hedhur në një degë tjetër. Kjo e ka bërë opozitën e PS-së të duket si e trukuar, gjithsesi, siç vëren nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe, "një opozitë virtuale". Nuk them që të mos merret me "programin", me tavolinat e Fondacionit "Qemal Stafa", apo me dialogun me Shqipërinë, të cilat i quaj të dobishme, por jo që të nënvlerësojë aksionin opozitar në Parlament dhe jashtë tij për të cilin ka nevojë, si vetë PS-ja, ashtu dhe funksionimi i demokracisë shqiptare, të gjithë ata që i besojnë dhe e mbështesin atë. Në nivelet e larta të PS-së dëgjohet shprehja: "Nuk e diskutojmë fitoren më 2009-ën", por pa bërë si duhet rolin e opozitës legale në demokraci, asgjë nuk është e sigurt. Edhe në demokraci, "projektet e mëdha kërkojnë një përgatitje afatgjatë dhe jo manovra taktike" (H.Kizinger). Kjo nuk do të thotë që opozita të mbyllet në vetvete dhe t'i thotë 'Jo' çdo bashkëpunimi me maxhorancën për realizimin e reformave të nevojshme për vendin. Veçse, pa injoruar dy kushte, së pari, transparencën e plotë për çdo hap të hedhur, dhe, së dyti, që të dalin të fituara të gjitha palët, që opozita t'i ruhet rrezikut "satelit".
Ju thatë që opozita nuk është unike, bile mund të thuhet që forcat opozitare po luftojnë ashpër kundër njëra-tjetrës. A ju duket normale një gjë e tillë në situatën kritike që është krijuar në vend, kur kemi dhe një Gërdec të pa zbardhur ende? Dhe më tej, keni ndonjë mendim konkret për atë se çfarë mund të bëhet për ta bashkuar përsëri opozitën tani që vendi ka hyrë në vitin elektoral?
Edhe më parë jam marrë me çështje të tilla dhe kam deklaruar prerë: PS-LSI dhe partitë e tjera opozitare ose do të bashkëpunojnë për të fituar së bashku zgjedhjet e 2009-ës, ose do të dështojnë. Disa nga liderët e partive opozitare duhet të qëndrojnë më mirë me këmbët mbi tokë dhe, siç thotë populli, të mos maten me hijen e mëngjesit. Dhe as me emisione televizive të porositura. Çfarë mund të propozohet? Nuk kam kontakte me liderë të opozitës, prandaj çështjet i gjykoj më tepër si qytetar e si studiues i politikës, prandaj mund të kem doza jo të vogla subjektivizmi në gjykimet e mia dhe në propozimet që mund të bëj. Mendoj se do të ishte i dobishëm një pakt politik midis partive opozitare, që do të vepronte gjatë gjithë vitit zgjedhor që porsa ka filluar. Për këtë mund të sugjeroja:
1. Të ndërpritet lufta e pakuptimtë midis partive opozitare për të rikthyer klimën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet tyre;
2. Në nivel ekspertësh, si fillim, të diskutohen mospajtimet e akumuluara për të gjetur atë që i bashkon për të shkuar më pas në një tavolinë të liderëve të partive opozitare për të miratuar një platformë bashkëpunimi afatgjatë;
3. Rivendosja e bashkëpunimit për një veprim opozitar më të studiuar dhe më të fortë në Parlament dhe jashtë tij në mbështetje të banorëve të Gërdecit, të minatorëve, të përfshirë në greva dhe në lëvizjen për të drejtat e tyre, të pronarëve të tokave, të të përndjekurve politikë etj.
4. Përpunimi i një platforme për koalicionin parazgjedhor të  forcave të majta në kushtet e miratimit të ligjit proporcional rajonal. Konkurrimi i çdo partie më vete për të dëshmuar mbështetjen e vet me vota dhe hartimi i listave të përbashkëta për të bashkuar forcën e partive aleate në koalicion.
Nuk i quaj propozime të tilla as shteruese dhe as të vetmet të mundshme, por gjithsesi them se, nëse liderët nuk do të tolerojnë njëri-tjetrin për çështje të dorës së dytë e rivalitete të pakuptimta për hir të interesave madhore të përbashkëta, atëherë mbetet që të tolerojnë "të patolerueshmen", që dihet mirë se cila është: varfëria, korrupsioni, autoritarizmi, konflikti midis institucioneve të shtetit.
Në përgjigjet tuaja ishit mjaft kritik, përfshi dhe ndaj partisë në të cilën jeni anëtar i Asamblesë Kombëtare, forumit më të lartë të saj pas kongresit. A ka ndonjë rrezik t'ju thonë se kini shkelur disiplinën e partisë, apo ndonjë nen tjetër?
Vërtet pyetje e veçantë. Por ju siguroj se në PS nuk ka rreziqe të tilla, pavarësisht se Berisha vazhdon avazin e vjetër ta quajë të pa distancuar nga komunizmi dhe Enver Hoxha. Partia Socialiste, që festoi 17-vjetorin e themelimit të saj në mesin e muajit të kaluar, ka një jetë të brendshme demokratike të zhvilluar, që lejon e nxit debatet, kritikat e mendimin ndryshe. Ndërkohë nuk i mohoj këto arritje, duke kërkuar një opozitë më të fortë, sepse sipas mendimit tim, pa   siguruar aftësitë konkurruese, të arsyeshme dhe të mbështetur me ligj, nuk ka sistem politik të qëndrueshëm dhe efektiv... Konkurrenca normale politike pozitë-opozitë është në të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij, prandaj nëse kjo çalon, sidomos "me të dyja këmbët", kjo duhet të shqetësojë çdo intelektual, i angazhuar ose jo në ndonjë forum partiak. Kam kohë që politikën dhe partitë, përfshi dhe PS-në, i shoh më tepër nga pozitat e një studiuesi e një intelektuali që ngul këmbë në ripërtëritjen shpirtërore dhe morale dhe modernizimin e shoqërisë sonë, që pret të integrohet në BE dhe në NATO. Nëse dikujt në PS nuk i pëlqen një qëndrim i tillë, të them hapur, mua kjo nuk më shqetëson aspak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›