E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë e nxehtë, aktivistët e PD dhe PS rrihen në sy të Edi Palokës

Vazhdojnë incidentet elektorale, por tani në qytetit e Lezhës dhe në sy të kandidatëve për deputetë. Aktivistë të Partisë Demokratike kanë grisur posterat e vëna nga ata të Partisë Socialiste në qendrën e këtij qytetit. Veprim ky që ka provokuar sherr mes të rinjve të zyrave elektorale. Ndërkohë që PS e Lezhës denoncoi në polici dhe bëri përgjegjës për ngjarjen numrin 1 të listës së deputetëve të PD Edi Palokën. Sipas drejtuesve të PS, ngjarja e djeshme ka ndodhur në sytë e Edi Palokës dhe se është ky person që ka prishur mirëkuptimin partiak në Lezhë. Ka reaguar disa minuta më pas zëdhënësi i PD së Lezhës, i cili thotë se prezenca e Palokës në këtë incident është vetëm një sajesë e të majtëve. Më konkretisht, militantë të Partisë Demokratike në Lezhë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj stafit të kandidatëve të Partisë Socialiste, në kohën kur këta të fundit kanë qenë duke vendosur materiale elektorale ne vende publike të përcaktuara në bazë të vendimit të këshillit Bashkiak të këtij qyteti. Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, kur aktivistë të PD i kanë kërkuar stafit të kandidatëve të PS që të mos vendosnin banderola dhe postera, pasi ato vende i përkisnin atyre. Duke iu referuar mirëkuptimit të arritur në mes të këtyre dy forcave politike për ndarjen e vendeve ku do të vendosin materialet e tyre propagandistike, përkrahësit e PS kanë vijuar normalisht punën e tyre. Kjo situatë nuk u ka pëlqyer aktivistëve të PD, të cilët nën kërcënime kanë dhunuar stafin e kandidatëve socialist. Pas këtij incidenti menjëherë janë mbledhur strukturat e këshillit socialist të rrethit Lezhë, të cilat kanë bërë denoncim në polici për rastin në fjalë, po kështu kanë dalë me një deklaratë publike. Në njoftimin për mediat thuhet se ngjarja ka ndodhur në praninë e kandidatit për deputet të PD, Edi Paloka, në sheshin kryesor të qytetit. Sipas tyre, Paloka ka prishur ekuilibrin politik të vendosur në Lezhë nga të gjitha partitë. "Zgjedhjet parlamentare po provokohen nga kandidatë që janë importuar dhe nuk i lidh asgjë me Lezhën", thuhet në tej në deklaratë. Socialistët kanë akuzuar kandidatin demokrat Edi Paloka se atij nuk i pëlqen kjo klimë mirëkuptimi, duke tentuar të tensionojë situatën dhe të prishë qetësinë publike dhe këtë e krijon nëpërmjet militantëve të PD-së që po i përdor si mish për top. Paloka dhe politika zyrtare e PD-së kërkojnë të importojnë në Lezhë aktet e dhunës sistematike të përdorura në zona të tjera në disa procese zgjedhore me elementë me precedentë penal, deklaron PS e Lezhës. Ata i kanë bërë thirrje elektoratit të majtë dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste që të mos bien pre e provokacioneve të këtyre njerëzve, duke shprehur mirëkuptimin e tolerancën që e karakterizon Lezhën. Sipas socialistëve rasti i dhunimit të simpatizantëve të PS gjatë kohës që ata vendosnin materiale elektorale në rrugët e qytetit të Lezhës, është një sinjal që tregon se PD nuk ka ndryshuar dhe nga frika e humbjes se zgjedhjeve tenton të manipulojë procesin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›