Seseri denoncon Bashkinë e Krujës për presion ndaj punonjësve për të votuar PD
Opozita denoncon Bashkinë e Krujës lidhur me problemet e shumta që janë shfaqur në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore në këtë qytet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kandidatja socialiste, Rudina Seseri, u shrpreh se nga drejtuesit e bashkisë i behet presion punonjësve të administratës për votimin me çdo kusht Partinë Demokratike.Kushdo që punon në administrate është thirrur dhe kërcënuar se nëse nuk tregojnë militantizëm të qartë atëherë do të hiqet nga puna, u shpreh Rudina Seseri, kandidate e PS në qarkun e Durrësit.
Ndërkohë, veç kësaj, Seseri ndriti edhe shqetësimin për çështjen e infrastrukturës zgjedhore në këtë qytet, si për numrin e personave që do të mbetën pa votuar për shkak të mos pajisjes me kartë identitet, ashtu edhe për listat e zgjedhësve. Sipas, saj Bashkia e Krujës nuk ka marrë asnjë hap për të bërë korrigjimin e listës së zgjedhësve. Përfaqësuesit e opozitës i kanë bërë prezentë zyrave të OSBE dhe ODIHR të gjitha shkeljet ligjore, ndërkohë që për korrigjimin e tyre duhet vetëm dy ditë kohë, pasi më vonë mbaron edhe afati ligjore. Ndërkohë, përplasjet midis opozitës dhe qeverisë nuk kanë të mbaruar gjatë kësaj fushate elektorale. Kështu, përfaqësues të Partisë Socialiste denoncojnë punonjës të OSSH në qytetin e Bilishtit që nuk lejojnë vendosjen e posterave të PS. Incidenti është shoqëruar me reagime të PS në qarkun e Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8.00 të mëngjesit të të mërkurës. Përfaqësues të PS në qytetin e Bilishtit kanë nisur të vendosin disa postera elektoralë në rrugët e qytetit, por nuk janë lejuar nga punonjës të OSSH. Sipas përfaqësuesve të OSSH nuk mund të lejohen vendosja e këtyre posterave në shtyllat elektrike, pasi ato tashmë janë pronë private. Gjithsesi mësohet se punonjësit e OSSH janë përpjekur të sqarojnë përfaqësuesit e socialistëve se nuk lejohen të vendosen posterat në këto objekte, megjithëse ishte marrë një leje për këtë qëllim nga bashkia e qytetit. Mikel Llogori përfaqësues i PS në Korçë gjatë konferencës së tij për shtyp, ka deklaruar se incidenti i radhës në qytetin e Bilishtit është i disati që krijohet nga strukturat e PD në juglindje të cilat provokojnë ngjarje të natyrave të ndryshme.