Masakër e re në Jemen
Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm, që trupat qeveritare bënë ndaj protestuesve në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
Lajmin e bëjnë të ditur burime mjekësore, ndërkohë që dëshmitarët deklarojnë se protestuesit u sulmuan në qendër të qytetit, e konsideruar si zemra e manifestimeve.
Dhuna shpërtheu në kohën kur presidenti Ali Abdullah Saleh u kthye nga Arabia Saudite, tre muaj pasi i mbijetoi një tentative vrasjeje në pallatin presidencial.
Një mjek tha për agjencinë e lajmeve AP se numri i viktimave është 16, ndërsa një mjek tjetër nga tendat spitalore të ngritura në shesh tha për AFP se 17 persona kanë vdekur dhe 55 të tjerë janë plagosur.
Ndërkohë, një dëshmitar që jeton në afërsi të kampit të protestuesve tha për “Reuters” se forcat qeveritare kanë përdorur autoblinda dhe armë të rënda zjarri.
“Ishte një përleshje e ashpër. Shtëpia ime tronditej si e çmendur. Tani aty nuk ka më protestues, por vetëm njerëz të armatosur”, tha dëshmitari.
Më herët, të paktën 13 persona humbën jetën në luftime të tjera të zhvilluara në kryeqytetin Sana.
Aktivistët kanë ngritur kampe në Sheshin e Ndryshimit që prej muajit janar, duke kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh.