E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Bulqizë, 700 nxënës mbeten pa mësim

Rreth 700 nxënës të pesë fshatrave në Komunën Fushë-Bulqizë, ende nuk kanë nisur mësimin për këtë vit të ri shkollor. Shkak është bërë godina shkollore, e cila është ende në fazë rikonstruksioni. Punimet e nisura, ende nuk kanë përfunduar edhe pse ata duhej të përfundonin gjatë muajve të verës kur nxënësit vijonin pushimet dhe koha në dispozicion të firmës tenderuese ka qenë e mjaftueshme.

Firma e pajtuar nga komuna, sipas kontratës së nënshkruar duhet t‘i përfundonte punimet para nisjes së mësimeve. Por, sipas kryetarit të komunës, Isuf Curri, çelja e fondit të këtij investimi është bërë me vonesë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjë që ka shkaktuar edhe mospërfundimin në kohë të punimeve në shkollë.

Nga ana e autoriteteve lokale të kësaj komune, u tha se është kompetencë e saj që në bashkëpunim edhe me zyrën arsimore të rrethit, ta shtyjnë hapjen e shkollës për dy javë. Mirëpo, dy javët kaluan dhe ndonëse ka nisur e katërta, punimet ende nuk kanë përfunduar dhe as nuk dihet se kur mund të përfundojnë.

Oborri i shkollës është kthyer në kantier ndërtimi i mbushur me materiale inerte. Ndërkohë që në ambientet e brendshme ka përfunduar puna për shtrimin e pllakave, vendosjen e dyerve, lyerjen e klasave etj. Nxënës, mësues dhe prindër, ndihen tejet të shqetësuar për vonesën në hapjen e shkollës. "Po na marrin fëmijët në qafë, duke na i lënë rrugëve pa mësim", thotë Ali Shehu, prind i një nxënësi në klasën e shtatë.

Edhe për mësuesit që për çdo ditë vijnë në shkollë për të parë ecurinë e punimeve, situata është mjaft alarmante. Me këto vonesa në nisjen e mësimit, thonë ata, edhe sikur për çdo të shtunë të vitit mësimor të zhvillojmë mësim, nuk mund ta realizojmë programin mësimor. Ndërkohë, drejtoresha e shkollës, Bukurie Lami, tha për "Shqip", se kryetari i komunës, Isuf Curri, ka premtuar se të hënën e ardhshme do të nisë mësimi, pasi ambientet e brendshme janë bërë gati dhe firma do të punojë në mjediset e jashtme të shkollës.

"Por, si mund të nisim mësimin kur nxënësit janë të rrezikuar gjatë hyrje-daljeve në shkollë, pasi mund t‘u bjerë ndonjë tullë në kokë", shprehet i shqetësuar kreu i komunës. Kështu, 12 tetori që është premtuar si dita e parë e hapjes së kësaj shkolle nga kryetari i komunës, Isuf Curri, pak gjasa ka që të jetë e tillë.

Edhe prindërit e nxënësve e kanë humbur shpresën dhe durimin, kur shprehen se në këtë fazë që janë punimet, as që mund të bëhet fjalë hapja e shkollës më 12 tetor. "Po na mbeten fëmijët analfabetë, komuna duhej të interesohej gjatë verës për rikonstruksionin e shkollës, jo të zvarrisë punimet, cilado qoftë arsyeja e kësaj zvarritjeje", thonë ata.

Ndërkohë, problemi i zvarritjes së punimeve nuk është i vetëm në këtë shkollë, pasi ajo ka mungesa edhe në bazë materiale si stola dhe tavolina, të cilat edhe këta janë premtuar të vijnë, por deri më tani nuk ka mbërritur asgjë. Gjithsesi, më të shqetësuar mbeten 700 nxënësit e kësaj shkolle, por edhe mësuesit, të cilët nuk e dinë se si do të mund t‘i zëvendësojnë gjithë këto orë të humbura deri në hapje të saj.

Hysen Likdisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›