Zgjidhet ngërçi në Vlorë, pranohen studentët "e dobët"
Universiteti i Vlorës hap dyert për studentët me mesataren nën notën 6. Rektori i universitetit "Ismail Qemali", Tanush Shaska, ka shtyrë afatin e regjistrimeve deri në orën 18:00 të ditës së djeshme. Pas marrjes së njoftimit, në orët e para të mëngjesit të djeshëm studentët kanë zënë radhët për t‘u regjistruar në sportelet e sekretarive të universitetit. Studentët janë shprehur të kënaqur nga shtyrja e regjistrimit të tyre. "Më në fund na u dha e drejta e regjistrimit dhe vazhdimit të studimeve të larta, si gjithë të tjerët. Ishte një torturë e vërtetë pritja dhe orvatja për shumë ditë dhe sidomos për ata studentë dhe familjet e tyre që ishin nga rrethe të ndryshme të vendit, por gjithsesi, jemi të lumtur që së fundi po regjistrohemi", kanë thënë dje të rinjtë që prisnin të merrnin statusin e studentit. Senati dhe krerët e universitetit së fundi iu bindën urdhrit të MASH, dhe pse një ditë më parë senati vazhdonte të ishte kundër regjistrimit të studentëve, duke mos marrë parasysh vendimin e rektorit Shaska dhe të dikasterit qendror të arsimit për regjistrimin e studentëve me mesatare të shkollës së mesme më të ulët se nota 6. Për këtë vit akademik do të ulen për herë të parë në auditorët e "Ismail Qemalit" rreth 2000 studentë.
Mi.Ma.
Mi.Ma.