E Diel, 1 Nëntor 2026

Godina e shkollës rrezikon jetën e nxënësve

Fillimi i vitit arsimor 2009-2010 nuk ka shënuar ndryshim për godinën e shkollës 9-vjeçare të fshatit Selishtë, Komuna Cakran, rreth 22 kilometra larg nga Fieri. Godina e kësaj shkolle që është ndërtuar më shumë se 30 vjet më parë, prej pesë vjetësh nuk ka njohur asnjë investim. Pothuajse e rrëzuar, kjo godinë sot rrezikon jetën e më shumë se 60 nxënësve të shkollës 9-vjeçare, si dhe jetën e 17 vogëlushëve të kopshtit që ndodhet brenda godinës. Prej objektit që ende cilësohet institucion arsimor vetëm gjysma e godinës ka mbetur. Tarraca, një pjesë e mureve, dyert dhe dritaret e godinës janë rrëzuar. Çka është në qiell të hapur duket lehtësisht edhe brenda godinës së shembur. Stafi pedagogjik i kësaj shkolle e ka shprehur shqetësimin dhe rrezikun e godinës jo vetëm pranë autoriteteve të arsimit në Fier, por edhe pranë komunës dhe prefekturës. Mësuesit shprehen se në kohë me shi nuk zhvillojnë mësim, kurse në kohë me diell janë të detyruar që t‘i zhvendosin nxënësit dhe fëmijët e kopshtit drejt asaj pjese të godinës që paraqet kushte më të mira.

"Edhe pse bëhet zhvendosja e nxënësve, sërish rreziku është prezent, pasi godina e shkollës si një e tërë rrezikohet të shembet. Jetojmë dhe zhvillojmë mësim në këtë shkollë me frikë të madhe. Mund të ndodhë edhe ndonjë katastrofë", thotë një prej mësuesve. Alen Sulka, mësues në këtë shkollë tregon se çdo vit ka kërkuar ndërhyrjen me investime. Ai shpjegon se me anën e një kërkese zyrtare i është kërkuar Drejtorisë Rajonale të Arsimit dhe Komunës së Cakranit që të investohet.

"Katër herë kanë ardhur përfaqësuesit e komunës. Kanë bërë matje, kanë parë situatën dhe kanë premtuar, ndërkohë që ende nuk ka nisur ndërhyrja. Dy herë kanë ardhur përfaqësuesit më të lartë të arsimit në rrethin e Fierit dhe kanë premtuar duke na "qarë hallin" për godinën në fjalë. Të presim tani regjistrimin e katastrofës që të shihet drita jeshile për ndryshimin e infrastrukturës së kësaj shkolle", tha mësuesi Sulka.

Pranë Komunës së Cakranit të tregojnë se kanë qenë fondet e pamjaftueshme që të mundësohej ndërhyrja me investime në shkollën e Selishtës, ndërkohë që në Drejtorinë e Arsimit të Fierit të deklarojnë se ekziston projekti për rikonstruksionin e shkollës, por sërish fondet kanë munguar.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›