Ndërgjegjësohen shoferët, bie fluksi i gjobave të policisë
Bie fluksi i gjobave të policisë rrugore në kryeqytet, si dhe pezullimi i lejeve të qarkullimit. Duket se më në fund janë sensibilizuar drejtuesit e mjeteve që duhet të respektojnë rregullat e Kodit Rrugor. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, edhe në ditët në vijim do të ndërmarrë kontrolle të vazhdueshme ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimit të tyre, që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Kontrolle dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren ndaj atyre drejtuesve, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet e tyre, që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Njëherazi u bëhet thirrje të gjithë drejtuesve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare. Ndërsa gjatë ditës së djeshme, janë pezulluar 184 leje qarkullimi dhe në 111 raste janë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Janë arkëtuar vetëm ditën e djeshme nga Posta Shqiptare 1030 masa administrative. Sa më sipër, shërbimet e Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, gjatë tri ditëve të fundit, në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 1195 masa administrative me vlerë 1.812 000 lekë. Policia e Tiranës u kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës, respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.