E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet pas një viti grabitësi i kazinosë

Kapet pas një viti një nga autorët e grabitjes spektakolare me maska në një pikë ilegale lojërash fati në qytetin e Korçës. Burimet e policisë lokale bënë të ditur se është arrestuar 18-vjeçari Mateo Alikaj, i cili prej një viti ka qenë nën kërkim policor për grabitjen e armatosur në periferi të qytetit, ku mbetën të plagosur tre persona dhe u arrit të merreshin të paktën 30 mijë euro nga klientët. Pas grabitjes së dhunshme të ndodhur në tetor të vitit të kaluar, policia mundi të vërë në pranga tre nga autorët, ndërkohë që 18-vjeçari kishte mundur t‘i shpëtonte arrestimit. Burime të policisë thanë se Mateo Alikaj u kap në qytet gjatë një operacioni të policisë, ndërkohë që nga kontrolli në banesën e tij uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar edhe bimë narkotike. Ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari ka ndodhur në datën 26 tetor të vitit të kaluar, kur rreth orës 4:30 të mëngjesit, maskat e armatosura sulmuan klientët duke çuar në grabitjen e një shume të madhe parash dhe në plagosjen me armë të tre shtetasve nga qyteti i Korçës. Nisur nga fakti se dyshohej se autorët ishin të njohur të klientëve që kishin dijeni për shumat e mëdha që do të hidheshin në lojë në dhomën ilegale të bixhozit, policia mundi të kapë tre nga autorët e ngjarjes, vetëm pak ditë pasi kishin kryer edhe sulmin me armë. Ndërkohë Mateo Alikaj ka qëndruar i fshehur për një kohë të gjatë derisa nga informacionet e policisë ka rezultuar se 18-vjeçari ndodhej në qytet, gjë që ka mobilizuar strukturat për kapjen e tij. Ndaj Mateo Alikajt rëndojnë tashmë dy akuza: "vjedhje me armë në bashkëpunim" si dhe akuza "për prodhim e shitje të lëndëve narkotike".

Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›