E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI: Ata që takuan Idrizin, njerëz me 10 tesera

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI) në Rrethin e Fierit, Asip Demo ka reaguar pas takimit që dy deputetët çamë zhvilluan në Fier mbrëmjen e së shtunës. Nën cilësinë e përfaqësuesve më të lartë të forcës më të re politike, Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU), deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri zhvilluan një takim në Fier me përfaqësuesit e komunitetit çam, ku merrnin pjesë edhe anëtarë të PDI-së. Lidhur me këtë takim, kryetari i PDI-së lokale ka dalë në një deklaratë për shtyp, pasi vetëm ka dënuar krijimin e partisë së re të çamëve, si një veprim që i fryn përçarjes, i ka cilësuar shumë prej personave që po mbështesin këtë iniciativë të re si persona të paqëndrueshëm që kanë me dhjetëra tesera partish. "PDI nuk ka ndër mend të shkrihet. Ajo është më e fortë dhe është parti fituese në zgjedhjet e fundit parlamentare. Është parti që ka firmosur për bashkëqeverisje me kryetarin e aleancës më të madhe, Sali Berishën. PDI vazhdon veprimtarinë e saj normale siç do parti tjetër. Nuk pretendojmë se kemi me vete gjithë opinionin. Të gjithë e dimë që ka individë dhe bashkëpatriotë tanë që aderojnë në parti të ndryshme. As PDI që përfaqëson një pjesë të mirë të komuniteti çam nuk merr përsipër të përfaqësojë gjithë komunitetin", tha Asip Demo.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›