Të fortët e lagjes, gjobë djalit të tregtarit
Dy adoleshentë arrestohen nga policia, pasi kanë ushtruar presion ndaj një 18-vjeçari për të përfituar para
Harusha dhe Frroku, presion për para në këmbim të lirisë. Viktima e tyre u diktua nga i atikur po merrte lekët
TIRANË- Dy adoleshentë, nga ata që njihen rëndom si të fortët e lagjes, gjobisin moshatarin e tyre të urtë, por përfundojnë në pranga.Xhejnis Plasa do të mbrohej nga dhuna dhe kërcënimet nëse u jepte 100 mijë lekë, dy të fortëve të lagjes, të cilët i kishin lënë atij një muaj. Gjoba që Genci Harusha dhe Liridjon Frroku i kishin vendosur moshatarit të tyre ka vënë në lëvizje policinë, për më shumë se katër ditë, duke përfunduar ditën e djeshme me arrestimin e dy gjobëvënësve. Burime zyrtare nga policia thanë se Harusha dhe Frroku u arrestuan sepse akuzohen për veprën penale të "shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie" e kryer në bashkëpunim, ndërsa viktima i presionit të tyre është detyruar të tregojë gjithë historinë për policinë.
Gjoba
Babai i Xhejnis Plasës ishte tregtar, ndërsa vetë 18-vjeçarinjihej si djalë i urtë në lagje. Kaq duket se ka mjaftuar për ta kthyer atë në shënjestër përfitimi të dy bashkëmoshatarëve. Edhe pse të vegjël në moshë, Genci Harusha dhe Liridjon Frroku kanë ideuar plane si "gangsterët" e mëdhenj. Disa ditë më parë, me anë të dhunës dhe kërcënimeve ata kanë mundur të bindnin moshatarin e tyre t'u dorëzojë 100 mijë lekë. Kështu, nëse donte të lëvizte i qetë në rrugë dhe të mos kishte probleme, Plasa duhet të paguante 100 mijë lekë tek Harusha dhe Frroku, të cilët më pas do t'i 'shisnin' lirinë. Megjithëse djali i tregtarit u ka thënë gjobëvënësve se nuk mund të kishte shumën e parave, ata kanë insistuar se nuk do ta linin të qetë dhe të përpiqej t'i gjente ku të mundej lekët. Frika nga dy të fortët i ka mbyllur gojën Plasës për të treguar gjobëvënien. Nga policia mësohet se 18-vjeçari Plasa nuk kishte zgjedhur rrugë tjetër për të siguruar paratë, veçse t'ia merrte ato fshehurazi babait të tij. Kështu ka shkuar në dyqanin e babait për të tërhequr fshehurazi paratë, por në atë moment është diktuar prej tij.
Denoncimi
Në momentin që Xhejnis Plasa po tentonte të vidhte paratë e familjes së tij është diktuar nga babai i cili ka vënë alarmin. Insistimi i babait se cila ishte arsyeja që po merrte shumën e parave si dhe frika prej tij ka detyruar 18-vjeçarin të tregojë për "litarin në fyt" që i kishin vënë dy moshatarët më të fortë se ai. Menjëherë tregtari ka vënë në dijeni policinë, e cila nisi menjëherë hetimet. Specialistëve të seksionit të Lirisë së Personit në bashkëpunim me seksionin e Policimit në Komunitet të komisariatit të policisë nr.1 Tiranë, u janë dashur rreth katër ditë për të kryer kapjen e Harushës dhe Frrokut. Burime nga policia thanë se për të kapur dy gjobëvënësit duhej ndihma e 18-vjeçarit Plasa me qëllim kapjen e tyre në flagrancë. Kështu në momentin e dorëzimit të lekëve, policia ka ndërhyrë duke u mbërthyer dhe prangat 18-vjeçarëve. "Arrestimi i Genci Harushës dhe Liridjon Frroku u krye sepse në mënyrë të vazhdueshme kanë shtrënguar me dhunë e kërcënuar për t'i marrë shumën e parave prej 100 000 lekësh, 18-vjeçarit Xhejnis Plasa",- pohoi dje zëdhënësja e policisë së Tiranës. Ndërkohë që për këtë ngjarje u krye dhe shoqërimi për në komisariat i 18-vjeçarëve Pulizoi Lekgega dhe Farudin Ziko, të cilët do të hetohen në gjendje të lirë. Mësohet se dy të fundit mund të kenë qenë të implikuar në këtë gjobëvënie megjithatë hetimet ende nuk kanë përfunduar.