E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mulosmani në gjyq për 2 vrasje

 

Armand Bajrami

Gjykata e kryeqytetit cakton datën e seancës së parë kur Jaho Mulosmani do të paraqitet në seancë edhe njëherë me akuzën e vrasjes së dyfishtë. Emri i shumëdëgjuar për autorësinë e disa veprave të rënda penale, mes të cilave edhe për atentatin ndaj ish-deputetit të Partisë Demo-kratike,  Azem Hajdari, do të paraqitet në gjykatë në  mesditën e 21 majit. Në orën 12:30 të së enjtes së ardhshme, Mulosmani pritet të vihet përballë trupës gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo. Për Mulosmanin do të niset nga "zero" gjykimi në këtë proces në lidhje me akuzat në ngarkim të tij për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Deri pak muaj më parë ekzistonte një vendim gjykate, i cili e dënoi me burgim të përjetshëm për këtë ngjarje. Por në maj të këtij viti një vendim i Gjykatës së Lartë e ktheu çështjen për rigjykim, pasi vërejti shkelje procedurale në gjykimin e dosjes në shkallë më të ulëta të gjyqësorit. Ndërkohë që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e "shpëtoi" Mulosmanin nga një dënim me burgim i përjetshëm, ende nuk dihet "fati" për dënimin e dytë të tillë. I dënuar me "burg përjetë" edhe për dosjen "Hajdari", ai pret një vendim të Gjykatës së Strasburgut, para së cilës Mulosmani ka pretenduar shkelje procedurash në gjykimin e tij në Shqipëri.
Dosja e "re" në ngarkim të Mulosmanit që mban numrin 1179, u depozitua në Gjykatën e kryeqytetit javën e fundit të muajit prill. Sipas organit të akuzës, në këtë dosje mbi Mulosmanin rëndon akuza e "vrasjes me paramendim" ndaj dy personave. Ngjarja për të cilën Mulosmani akuzohet ka ndodhur në vitin 1999, ku ai mbante detyrën e shefit të rendit në Komisariatin e Policisë së Tropojës. Një atentat me mina të telekomanduara në fshatin Cërrnicë të Tropojës në 4 gusht të këtij viti përfundon me bilancin dy të vdekur dhe dy të plagosur. Nga atentati mbetet i vrarë Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja, ndërsa plagosen Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka. Vetëm pak orë më pas në qendër të qytetit të Tropojës vriten nga një breshëri plumbash Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Hetimet e atëhershme "etiketuan" Jaho Mulosmanin si autor të ngjarjes.
Nga hetimet dyshohej se Mulosmani kishte qëlluar mbi viktimat në shenjë hakmarrjeje, pasi i bënte përgjegjës të afërmit e Hykës për vrasjen e Haklajt dhe Kërrnajës. Ndërsa në vitin 2001 ai u prangos për pjesëmarrje në vrasjen e ish-deputetit Hajdari.                                        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›