Fushë-Krujë, makina përplas për vdekje një 70-vjeçar
Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pasdite në aksin rrugor Fushë-Krujë - Lezhë. Një burrë 70 vjeç ka gjetur vdekjen pas përplasjes nga një automjet, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë rrugore të Krujës, Hamza Korbi po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është përplasur nga një veturë me ngjyrë të zezë, targa dhe modeli i të cilës nuk janë identifikuar. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Tapizë dhe 70-vjeçari është banor i këtij fshati. Në mungesë të një mbikalimi në këtë fshat, plaku ka qenë i detyruar të kalonte përmes rrugës, ndërsa mjetet lëviznin me shpejtësi. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në kërkim të drejtuesit të mjetit. Paraprakisht është përcaktuar se makina ka qenë me shpejtësi shumë të madhe dhe nuk ka mundur ta shmangë viktimën.