Kapet një shpërndarës droge në qendër të qytetit
Arrestohet në mes të qytetit një shpërndarës heroine. Policia e Korçës ka arrestuar një shpërndarës droge që vepronte në qendër të qytetit. Rikard Fecani, 25 vjeç, është kapur në kushtet e flagrancës me doza heroine të bëra gati për shitje. Sipas policisë, i riu ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me dhunë. Rreth orës 10:00 të mëngjesit të djeshëm ai është kapur në Lagjen 5 të qytetit të Korçës me doza të bëra gati për shitje. Sipas policisë, 25-vjeçari kishte futur një gram heroinë në dy copa letre alumini, ndërkohë që në total atij i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës një sasi prej 16 gramësh lëndë narkotike e llojit heroinë. Në momentin kur është kapur, i riu kishte të gatshme dy doza të ndara në letër alumin, një kapak alumini tapë shisheje, që sipas policisë përmbante brenda një sasi lënde me ngjyrë kafe në të kuqërremtë, e ngjashme me atë të lëndës narkotike heroinë, me peshë të përgjithshme prej 1.6 gramë, një sasi lënde pluhuri të bardhë brenda një qeseje me peshë 13.2 gramë. Policia ka thënë se 25-vjeçari e kishte bërë gati për shitje lëndën narkotike, por nga ndërhyrja e menjëhershme në bazë të informacioneve që dispononte policia është kapur para kryerjes së shpërndarjes. Ai është arrestuar në flagrancë me akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Burimet policore thanë se Fecani mbahej në vëzhgim prej kohësh.