Kushëriri vret kushëririn, se bagëtitë kaluan sinorin
Kapërcimi i sinorit nga bagëtitë ka qenë shkaku i një krimi të rëndë që ka ndodhur dje në fshatin Armen të Vlorës. Rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, disa nga bagëtitë e familjes së Reiz Haxhiraj janë futur në bahçen e kushëririt të tij, Luan Haxhiraj, duke futur në sherr burrat e të njëjtit fis. Edhe pse Reizi ka hequr bagëtitë nga toka e kushëririt të tij Luanit, mes tyre ka pasur debate të ashpra që kanë shkuar deri në përleshje fizike, në të cilën është përfshirë edhe djali i Reizit, Çajup Haxhiraj. Pasi janë rrahur, Luan Haxhiraj ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka marrë çiften e gjahut dhe në gjaknxehtësi e sipër ka hapur zjarr mbi dy kushërinjtë, babë e bir, dhe si pasojë e plagëve të shkaktuara nga çiftja ka gjetur vdekjen e menjëhershme Reiz Haxhiraj, 74 vjeç, dhe është plagosur rëndë i biri, Çajupi 33 vjeç. I plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sipas mjekëve, ai ka dalë nga rreziku për jetën. Ndërkohë policia e Vlorës ka rrethuar menjëherë zonën përreth fshatit Armen dhe pas dy orësh ka bërë të mundur kapjen e autorit të vrasjes, Luan Haxhiraj, i cili qëlloi me armë zjarri dhe vrau kushëririn e tij.