Seks për 100 euro, prangoset 19-vjeçarja
I ka shkuar keq "pazari" i fundjavës një të reje nga Fushë-Kruja që kishte zgjedhur Durrësin për të fituar disa para nëpërmjet prostituimit. 19-vjeçarja M.Xh., është arrestuar në afërsi të shëtitores bregdetare "Taulantia", nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Në momentin e ndalimit, asaj iu gjetën 4500 lekë të reja, që sipas pohimit të saj i kishte siguruar nëpërmjet kryerjes së marrëdhënieve seksuale me klientë të rastit në Durrës. Seksioni i antitrafikut ka ndërhyrë pas marrjes së një informacioni në rrugë operative. Është ushtruar kontroll në zonë dhe shërbimet policore konstatuan të renë M.Xh., teksa po konsumonte veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Ajo është kapur ndërsa ofronte veten e saj për marrëdhënie seksuale kundrejt 100 eurove ndaj një shtetasi, të cilit policia i ka bërë të ditur vetëm inicialet H.H. Pas kësaj, vajza nga Fushë-Kruja është shoqëruar në ambientet e policisë natën e vonë të së shtunës dhe më pas ndaj saj është vendosur masa e arrestit paraprak. Ushtrimi i prostitucionit në ambientet më të frekuentuara, si në zonën e plazhit, atë të Vollgës, të Stacionit të Trenit të udhëtarëve dhe tek Ura e Dajlanit është një realitet i njohur në qytetin port. Vitin e fundit fenomeni ka ardhur në rritje edhe për shkak të rritjes së nivelit të papunësisë dhe varfërisë në vend.