Vrasje në spitalin psikiatrik të Elbasanit
Një sherr mes të sëmurëve në pavijonin e skizofrenëve kronikë në spitalin psikiatrik të Elbasanit ka përfunduar me një të vdekur mes tyre. Personeli i spitalit, i pakët në numër, nuk ka mundur të bëjë asgjë për të ndërprerë përleshjen e dhunshme dhe rendi në pavijonin problematik është vendosur vetëm pasi 45-vjeçari Sajmir Kraja ka dhënë shpirt i mbuluar nga gjaku. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pak orë pasi në të njëjtin pavijon kishte varur veten një pacient 25-vjeçar. Burime të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se 45-vjeçari Sajmir Kraja ka humbur jetën si pasojë e dhunës nga disa të sëmurë të tjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm në pavijonin numër pesë të spitalit të të sëmurëve mendor të Rrethit të Elbasanit. Një grup të sëmurësh të pagjumë kanë përdorur të gjitha mjetet rrethanore kundër njëri-tjetrit. Për pasojë ka humbur jetën 45 vjeçari Kraja nga qyteti i Shkodrës, i cili ishte shtruar në këtë spital prej pesë vjetësh. Mësohet se sherri mes të sëmurëve ka nisur për motive krejt banale dhe më pas ka degjeneruar me kacafytje mes tyre, ku janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të goditur kundërshtarët. Përleshja mes të sëmurëve ka "zgjuar" kujdestarin e këtij pavijoni, Alfons Ekmeçiu, që sipas deklaratave të tij ka ndërhyrë për t‘i ndarë, por nuk ka mundur, madje as ai nuk u ka shpëtuar goditjeve të pandërgjegjshme të të sëmurëve. Fundi i kësaj përleshjeje të pazakontë në këtë spital ka shënuar vdekjen e pacientit Sajmir Kraja, i cili nuk u ka mbijetuar plagëve të marra dhe ka dhënë shpirt ende pa u dërguar për ndihmë mjekësore. Ngjarja në fjalë vjen rreth 10 orë pas aktit të vetëvarjes së 25-vjeçarit Altin Tatani, nga Kavaja, në këtë spital. Policia e Elbasanit ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive edhe për personelin e spitalit psikiatrik. Ndërkohë, nga ana e drejtorisë së spitalit psikiatrik, "Sadik Dinçi", të Rrethit të Elbasanit, janë marrë menjëherë masa për shmangien e përplasjeve të tjera mes të sëmurëve. Sipas kreut të spitalit, Pjerin Ndreu, të sëmurët mendorë që paraqesin shenja të theksuara agresiviteti do të kalojnë në "karantinë". Ndërkohë, drejtori tha se është marrë masa e pezullimit nga puna për kujdestarin e pavijonit dhe infermieret e turnit të natës.