E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, 25-vjeçarja vdes në maternitet 7 ditë pas lindjes

Në orën 11:00 të ditës së djeshme ka ndërruar jetë në shtëpinë e lindjes "Kristo Kalivopulli" të Sarandës, gruaja 25-vjeçare Enkelejda Osmani nga Xarra e Sarandës. Ajo kishte lindur një javë më parë me operacion në këtë spital. Familjarët kanë mbetur të befasuar nga mënyra e vdekjes së saj. Po kështu edhe mjekët. Sipas këtyre të fundit, në kartelën e saj nuk kishte asnjë tregues të dyshimtë që të mund të sillte rëndimin e shëndetit e aq më pak çuarjen e saj deri në humbjen e jetës.

Mjekja gjinekologe, Çezarina Bozho, që kreu operimin e gruas 7 ditë më parë, ishte duke ndjekur ecurinë e shëndetit të saj dhe të djalit shtatëditësh dhe ajo është shprehur e kënaqur prej saj. "Operacioni ka qenë i suksesshëm dhe shëndeti i fëmijës dhe nënës në parametra normalë", është shprehur Bozo, e cila është njoftuar paraditen e djeshme, rreth orës nëntë, për një kthesë të papritur të shëndetit të nënës.

Enkelejda Osmani kishte qenë në dhomën e saj, së bashku me nënën dhe bashkëshortin, kur befasisht, rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, ajo është lëshuar në duart e tyre dhe ka humbur ndjenjat. Pas mjekes gjinekologe, kanë mbërritur në maternitetin "Kristo Kalivopulli" të Sarandës edhe një ekip mjekësh specialistë, të cilët kanë qenë së bashku në ndihmën e specializuar që i është dhënë gruas së rënë në koma. Arben Vogli, drejtor i shëndetit publik të Sarandës, tha se janë bërë të gjitha përpjekjet për ta kthyer në jetë gruan. Iu dha ndihma e parë, duke e futur në sallën e oksigjenit. Urgjent u mblodh konsulta e zgjeruar e mjekëve dhe u bënë gjithë ndërhyrjet e mundshme. Por pas dy orësh, në orën 11:00, ajo nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete dhe është njoftuar vdekja e saj.

Para maternitetit, familjarë të shumtë u grumbulluan. Megjithëse fillimisht nuk kanë akuzuar mjekët, familjarët kanë mbetur të habitur dhe të paqartë për shkakun e humbjes së jetës së Enkelejda Osmanit dhe kanë kërkuar hetimin e çështjes deri në fund. Të pranishme në spital kanë qenë uniformat blu të policisë së rendit, për të shmangur çdo konfrontim të mundshëm me bluzat e bardha, sidomos pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë.

Gruaja që humbi jetën në rrethana të pasqaruara në maternitetin e Sarandës ishte nënë e tre fëmijëve, e një djali në moshë 5-vjeçare, një vajze dhe djalit të dytë të porsalindur.

12 ditë para se të kryente lindjen e fundit, gruaja xarrjote kishte pësuar një frakturë në këmbë. Duke qenë shtatzënë, që ditën që ajo u paraqit në spital, për të vënë këmbën në allçi, me pëlqimin e saj dhe të familjarëve, u mbajt nga mjekët e maternitetit në këtë spital, për ta pasur në kujdes deri në ditën e lindjes. Mjekët sarandjotë thanë se ajo lindi në kushte të vështira, për shkak të këmbës së vënë në allçi, por operacioni vlerësohet të ketë qenë pa probleme. "Po bëheshim gati për ta nxjerrë nga materniteti, thanë mjekët e maternitetit, por u mendua të rrinte edhe për dy ditë të tjera, sa të bëhej heqja e penjve". I vetmi dyshim që ata shfaqnin se mund të ketë sjellë vdekjen e gruas 25-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, është prania e ndonjë trombi në enët e qarkullimit të gjakut, për shkak të thyerjes së këmbës. "Dyshohet për një tromb, që është i mundshëm pas frakturës që ka në këmbë", u shpreh Arben Vogli.

Me gjithë këtë, ky mbetet vetëm një version, i cili jepet prej tyre deri në pritje të përfundimit që do të japin ekspertët mjekoligjorë, të cilët kanë udhëtuar pasditen e djeshme nga Tirana drejt Sarandës.

Ndërkohë, trupi i pajetë i Enkelejda Osmanit është transportuar pasdite për në morgun e spitalit "Petro Nako" të qytetit të Sarandës. Edhe transporti i trupit është bërë pa u shoqëruar nga eksese nga familjarët. Paralelisht mësohet se ka nisur të veprojë një grup prokurorësh, i cili ka marrë çështjen në shqyrtim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›