Fushë-Krujë, të burgosurit ankohen për ujin e ushqimet
TIRANE - Të burgosurit e Fushë-Krujës ankohen për cilësinë e ujit të pijshëm dhe ushqimet që blejnë nëpërmjet dyqanit të burgut. Sipas tyre, ka pak javë, që institucioni ku ndodhen duke vuajtur dënimin pjesa më e madhe e VIP-ave të krimit, furnizohet me ujë nëpërmjet një pusi, i shpuar enkas për këtë burg. Ndërsa në lidhje me ushqimet, të burgosurit e Fushë-Krujës pohojnë se shpeshherë mallrat ushqimore që porosisin në dyqanin e burgut u vijnë të skaduara dhe të paketuara keq. Të kontaktuar nga gazeta funksionarë të këtij burgu pohuan se është e vërtetë që burgu furnizohet me ujë nga një pus i shpuar rreth një muaj më parë, thellësia e të cilit i ka kaluar 120 metrat. Sipas tyre pas përfundimit të punës, kampione të ujit të pusit janë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik dhe në një laborator privat ku analizat kanë dalë se uji është i parametrave të mirë dhe i konsumueshëm. Po kështu, autoritetet e burgut pohuan se gjatë këtyre ditëve nuk kanë pasur ankesë nga të burgosurit për ujin, ndërsa pohuan se do kryenin verifikime të tjera në lidhje me cilësinë e ujit, kampione të të cilit do i dërgonin sërish në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Nga ana tjetër të burgosurit pretendojnë se nuk mund të konsumojnë ujin me të cilin furnizohet burgu, pasi cilësia e tij është shumë larg normales. Uji sipas tyre mban erë të keqe dhe mikrogjallesa të ndryshme që shpeshherë i japin ngjyrë. Për të konsumuar këtë ujë, të burgosurit pohojnë se atyre u duhet që ta ziejnë dhe pastaj ta përdorin. Por ajo që është më tepër problem, sipas tyre, është fakti se nuk disponojnë në qeli sendet dhe kushtet për ta bërë këtë gjë. Të burgosur të kontaktuar për këtë problem pohojnë se zierjen e ujit e bëjnë në enë të vogla, të cilat i ngrohin në petrogaz. Por edhe pas kësaj, ata pohojnë se nuk arrijnë ta pastrojnë përfundimisht ujin. Ndërsa për ushqimet të dënuarit pretendojnë se, përveç faktit që abuzohet me çmimet, u ndodh shpeshherë që të mos marrin mallin që porosisin. Por edhe në rastet kur u vjen malli, ambalazhi nuk përmban datën e skadencës. Nga ana e shitësit të burgut, sipas tyre kjo gjë justifikohet me faktin se një pjesë e mirë e ushqimeve janë ambalazhuar në enë metalike apo qelqi, përdorimi i të cilave është i ndaluar në burg. Për këtë shkak ato hiqen nga ambalazhi origjinal dhe ripaketohen me ambalazh plastik apo letre për t'u dërguar në qeli. fa.ma