E Shtunë, 31 Tetor 2026

"SHKB heton dhunën në policinë e Gjirokastrës"

 

TIRANE - Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit ka nisur hetime të përbashkëta me Prokurorinë e Gjirokastrës në lidhje me pretendimin e qytetarit Bexhet Serjani për dhunë fizike të ushtruar ndaj tij nga nënkomisar Argjir Çela. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme pohoi dje se për këtë ngjarje ka filluar procedimi penal ndaj specialistit të rendit në komisariatin e Tepelenës, Argjir Çela, për veprën penale të kryerjes së veprimeve arbitrare, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme është kërkuar pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë, Argjir Çela, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Qytetari Serjani, 49 vjeç, ish-efektiv policie deri në vitin 2005, denoncoi publikisht dy ditë më parë dhunën deri në torturë të ushtruar ndaj tij nga komandanti i policisë së rendit në policinë e Tepelenës. Sipas deklarimeve të dhëna nga i dëmtuari, shkak për rrahjen e tij në rrugë, në komisariatin e Tepelenës dhe në momentin që mjekët do e dërgonin në spitalin e Gjirokastrës ishte hakmarrja e Çelës. Shkak për dhunën ka qenë një konflikt i nisur pak muaj më parë, pasi Serjanit i ishte bllokuar makina pa të drejtë në komisariat një muaj më parë. Pasi ky kishte mundur ta lironte mjetin, Çela është hakmarrë. Tri ditë më parë, Serjani dhe funksionari i rendit janë hasur sërish në Tepelenë. Sipas Serjanit, Çela i kishte kërkuar t'i jepte dorën, por ky kishte refuzuar, pasi e akuzonte funksionarin e rendit se i kishte thyer xhamin e makinës qëllimisht, para se ta lironin nga bllokimi. Atëherë i nervozuar, Argjir Çela ka thirrur dy policë që ishin në makinën e policisë dhe me forcë e kanë shoqëruar në komisariat. "Aty ka nisur dhuna me shkopin e gomës, me tub hekuri si dhe me një këmbë karrigeje", pohon 49-vjeçari, i cili shton se është keqtrajtuar në ambientet e izolimit nga Çela dhe nga pesë vëllezërit e tij civilë. "Dhuna ishte e tillë, saqë mua më ra të fikët dhe e gjeta veten të përmendur në spitalin e Tepelenës. Në këtë moment i kërkova ndihmë shefit të Komisariatit të Tepelenës, Enver Meçe, por ky nuk reagoi. Vetëm dy policë të tjerë prezent kanë kërkuar ndalimin e dhunës. Pasi u përmenda në spital, mjekët thoshin se duhet të shkoja në spitalin e Gjirokastrës për ndihmë më të specializuar. Në momentin që do të më transportonin me autoambulancë, Argjir Çela dhe vëllezërit e tij erdhën aty dhe më gjuajtën sërish, në sy të infermierëve dhe mjekëve. Ambulanca është kthyer edhe një herë në Komisariat me urdhër të Çelës dhe sërish duke ushtruar dhunë ekstreme. Jam rrahur në mënyrë shtazarake tri herë", pohon Serjani.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›