Investimet, në 2009 kontratat e firmave me çmime të reja
Kontratat e projekteve rrugore që lidhen mes ndërtuesve dhe qeverisë vitin e ardhshëm duhet të nënshkruhen sipas çmimeve të reja. Kjo është kërkesa e bërë nga Shoqata e Ndërtuesve drejtuar qeverisë. Në një simpozium të organizuar dje, Shoqata e Ndërtuesve ka deklaruar se brenda muajit nëntor do t'i dërgojë Ministrisë së Transporteve propozimin me shkrim për tarifën e pagesës për studimin, projektimin, supervizionin dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit. Në këtë mënyrë ndërtuesit kërkojnë që të zëvendësohet vendimi i qeverisë, i vitit '94-ës, në mënyrë që për vitin 2009 të punohet me tarifat e reja, të përafërta me ato të KE-së. "Agjencia e Prokurimit Publik brenda vitit të rishikojë vërejtjet dhe propozimet që janë bërë nga shoqatat tona, për aktet nënligjore të prokurimit. Nga një takim i përbashkët, ato vërejtje që janë të drejta dhe pranohen nga APP të përfundojnë në VKM, që të hyjë në fuqi në vitin 2009", është shprehur dje përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi. Sipas tij, rritja e çmimeve e katër materialeve kryesore ka patur dhe ka një influencë shumë të madhe në rezultatet financiare të firmave që kanë lidhur kontrata me çmimet e vjetra për ndërtimin e rrugëve. "Kjo rritje çmimesh nuk është një fenomen lokal, por është rezultat i një krize në shkallë botërore, është rasti që Qeveria brenda mundësive që ka të bëjë një rivlerësim vetëm për naftën, hekurin, bitumin etj.", ka theksuar ai. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndërtuesit ankohen për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Pak kohë më parë ata i kërkuan qeverisë që të kryente indeksimin e çmimeve për materialet e ndërtimit. Por gjatë analizës 7-mujore të Ministrisë së Transporteve, kreu i këtij institucioni, Sokol Olldashi, kërkesës së ndërtuesve iu përgjigj me një pyetje: "A dini ndonjë rast se kur ka pasur ulje çmimesh kontraktorët kanë bërë një kërkesë zyrtare për t'i rikthyer lekët shtetit?". Në deklaratën e tij, ministri Olldashi tha se kjo është pjesë e riskut të biznesit privat, kur ka rritje çmimesh e paguan biznesi, ndërsa kur ka ulje çmimesh e paguan shteti.