E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pronat mbajnë peng investitorët”

 

Fabiola Çela

Problemet me pronësinë mbajnë peng investitorët e huaj. Shumë prej tyre nuk duan të shpenzojnë paratë në Shqipëri, pasi tregu i tokës është i pasigurt. Por sikur të mos mjaftonte kjo, jo pak herë janë evidentuar edhe raste korrupsioni në regjistrimin e pronave. Deklarata është dhënë nga vetë ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Frasev Wilson, gjatë një seminari të organizuar dje. Gjatë këtij seminari u prezantua edhe raporti mbi monitorimin e punës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në kryeqytet, i cili është përgatitur nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, Ambasada e Britanisë së Bashkuar në Tiranë në bashkëpunim me Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Korrupsioni
Korrupsioni është i pranishëm edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. "Regjistrimi i pronave është një temë delikate. Shumë qytetarë kanë një eksperiencë të keqe dhe kjo i ka bërë ata të humbasin besimin. Për fat të keq ka pasur raste serioze korrupsioni", ka deklaruar dje ambasadori britanik në Shqipëri. Sipas tij, një fenomen i tillë shkakton efekte negative në çdo sektor. "Në çdo fushë të jetës publike shqiptare, ata zyrtarë që janë të korruptuar dëmtojnë edhe reputacionin e kolegëve të tyre, dhe ulin besimin e publikut në sistem. Korrupsioni dhe perceptimi i korrupsionit në një sistem të regjistrimit të pronave dëmton drejtpërdrejtë interesat e shqiptarëve të zakonshëm. Por dëmtojnë edhe ekonominë", ka thënë ai. Për fat të keq problemet me titujt e pronësinë mbajnë larg edhe investitorët e huaj. "Shpesh pyes veten se përse shumë kompani britanike nuk zgjedhin Shqipërinë për të investuar. Një përgjigje e pritshme për këtë pyetje është se investitorët nuk duan të rrezikojnë paratë e tyre në një vend ku ligjet e tokës  dhe vetë pronarët e saj janë të paqartë. Kjo është e kuptueshme, ka theksuar ambasadori britanik. Por një gjë e tillë ndikon negativisht në zhvillimin e ekonomisë vendase. Përballë një situate të tillë duhen marrë masat e duhura për të vënë në zbatim ligjet e shtetit. "Kur unë mbërrita në Shqipëri në vitin 2006, kishte ende shumë eufori mbi nënshkrimin e MSA me BE-në. Ishte një moment definues në tranzicionin e Shqipërisë, ndërsa ftesa e NATO-s ndodhi në fillim të këtij viti. Por disa nga retorikat pozitive që unë dëgjova në atë kohë, rrezikonin të jepnin përshtypjen se nënshkrimi i MSA-së dhe zbatimi janë e njëjta gjë. Por nuk janë, ashtu siç nuk është as miratimi i një ligji të mirë dhe zbatimi i tij. Nëse do të ishte, atëherë në kafenetë dhe restorantet e Tiranës nuk do të kishte më duhan, që prej një viti që u miratua ligji kundër tij", ka theksuar Wilson në fjalën e tij.
Raporti
Forumi për Demokraci dhe Etikë në bashkëpunim me Ambasadën Britanike hartuan një raport për punën në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive në Tiranë. Ky raport u hartua për 40 ditë. Gjatë këtij harku kohor grupet e punës monitoronin se si ishte shërbimi i punonjësve të hipotekës ndaj qytetarëve. Ky grup kreu 585 sondazhe. Nga monitorimi u konstatuan edhe disa probleme. Kështu fluksi më i madh i punës ishte nga ora 08:00 deri në mesditë, rreth orës 12:00. Të hënave fluksi i qytetarëve ishte shumë më i madh në krahasim me ditët e tjera dhe situata në ambientet e hipotekës dukej pak kaotike. Ndërsa ditët e tjera të javës situata ishte më normale.
Sipas rezultateve të monitorimeve në zyra, vihej re një mungesë e informacionit suplementar, përveç atij që vinte nga sporteli i biletave. Mungonte një stendë ku mund të kishte fletëpalosje, broshura apo botime, të cilat do të ndihmonin qytetarët për procedurat që duhet të ndiqnin. Duhej përmirësuar arshiva e këtij institucioni. Jo çdo dokument ishte elektronik dhe mungonte një sistem i tillë për të gjitha zonat. Kishte qytetarë që pretendonin se nuk ishin pajisur me certifikatë pronësie për këtë arsye.

Pagesat të kryhen në bankë, jo në Hipotekë

Për të luftuar korrupsionin në zyrat e Hipotekës, një mënyrë e mirë do të ishte që pagesat e parave të kryheshin pranë bankave të nivelit të dytë, e jo në sportelet e Hipotekës, ose pagesa për shuma mbi një vlerë të caktuar, fjala vjen pagesat mbi 1.000 lekë të bëhen në banka dhe veprimet në Hipotekë të kryhen mbi bazën e mandat-pagesës së bankës. Në këtë mënyrë do të eliminohej mundësia e komprometimit të punonjësve, derdhja e pagesave të bëhet në bankë e jo në sportelet e Hipotekës, ose pagesa për shuma mbi një vlerë të caktuar, fjala vjen pagesat mbi 1.000 lekë të bëhen në banka dhe veprimet në Hipotekë të kryhen mbi bazën e mandat-pagesës së bankës. Përveç kësaj të vendosen shërbimet ekspres për pagesa të diferencuara.

Strategji për të luftuar korrupsionin
Korrupsioni është i pranishëm në zyrat e Hipotekës. Përballë një situate të tillë drejtuesit e këtij institucioni janë duke ndërmarrë një strategji të veçantë për të luftuar këtë fenomen. Gjatë seminarit të djeshëm, kryeregjistruesi Arben Qirjako theksoi se, "projekti është një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e transparencës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme". Ai gjithashtu pranoi se ka pasur raste korrupsioni në praktikat që ndiqen, por niveli i korrupsionit është ulur së fundmi. "Unë si kryeregjistrues jam i detyruar të pranoj se zyra e regjistrimit ka vuajtur nga korrupsioni në nivele të larta, dhe natyrisht që edhe sot mund të ketë korrupsion, por ne kemi hartuar strategji të cilat mund ta them me siguri se kanë dhënë rezultate shumë të mira", është shprehur numri një i Hipotekës, Qirjako.

Sugjerimet

• Koordinimi e bashkëpunimi i hipotekës me zyrën e Përmbarimit Gjyqësor.
• Studimi i mundësisë për ta kthyer në një sektor "Agjencie" ose të "Privatizimit të Shërbimit të Hipotekës" me qëllim rritjen e nivelit të shërbimeve dhe zgjidhjes së problemeve të qytetareve.
• Krijimi i një gjykate të përkohshme me fokus të qartë për të zgjidhur çështjet e pronësisë dhe gjithë konfliktet që ekzistojnë mbi këtë çështje do të ishte komplementare në shërbimet që ofron ZQRPP për qytetarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›