Futbolli nuk po e lufton racizmin

Ish ylli holandez i futbollit, Edgar Davids u ka bërë thirrje autoriteteve të kenë qëndrim më të fuqishëm kundër racizmit. Davids, i cili së fundmi është përfshirë në një incident racor me ikonën e futbollit holandez Johan Cruyff, tha për CNN se problemi nuk është duke u adresuar në mënyrën e duhur, pavarësisht reagimeve të ashpra që përcollën komentet kontroverse të bëra nga presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.
Lideri i futbollit botëror u desh të kërkojë falje për deklaratat e bëra gjatë një interviste, kur kishte thënë se nuk ka racizëm në fushë dhe se çfarëdo problemi duhet të zgjidhet me një shtrëngim duarsh pas ndeshjes.
Davids, i lindur në Suriname, bëri 74 paraqitje për Holandën, ndërsa ishte anëtar i klubeve të mëdha si Ajax, Barcelona, Milan, Juventus e Inter. Ai është i pakënaqur me komentet e bëra nga Cruyff në drejtim të tij gjatë një takimi të bordit mbikëqyrës te klubi holandez Ajax.
“Ekziston një kufi dhe nëse dikush bën koment racist, atëherë duhet të veproni ndaj tij. Personi që e bën duhet të dënohet e më pas edukohet jashtë fushës”, tha 38 vjeçari.
“Ajo që tha Blatter nuk mund të arsyetohet, por ai kërkoi falje. Diçka e tillë ndodhi edhe në Holandë, kur Johan Cruff bëri komente raciste. Ai i bëri, por nuk kërkoi falje. Mediet holandeze e lanë anash incidentin, por është dashur ta dënojnë. Kur dikush bën koment racist, kjo nuk e bën atë racist, por ju duhet të thoni: ‘ky është kufiri, e ke kaluar dhe duhet të kërkosh falje’, jo vetëm ndaj atij që është lënduar, por edhe te njerëzit e tjerë që përballen me fyerje racore gati gjatë gjithë jetës së tyre. Mendoj se është e papranueshme nëse nuk e bëni”, shtoi ai.
Si duhet luftuar racizmin?
Autoritetet e futbollit ende nuk kanë shqiptuar dënime të ashpra ndaj ofendimeve racore. Federata e Futbollit e Bullgarisë shpëtoi me 40 mijë euro gjobë, pasi tifozët e reprezentacionit bullgar fyen në baza racore disa futbollistë të Anglisë në ndeshjen e tyre në shtator. Ndërsa komentet e Blatterit nuk zgjuan reagime në mbarë botën sikurse në Britani, ku mediet menjëherë e kritikuan 75 vjeçarin për komentet e tij. “Duhen dënuar këto gjëra, duhet reaguar dhe vërtet adresuar problemin. Mendoj se kjo mungon paksa”, përfundoi Davids, fitues i Ligës së Kampionëve më 1995 me Ajaxin.