E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lepenci nuk dënohet, Drita e pakënaqur

Pavarësisht ankesave të Dritës, për Komisionin e Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ndeshja e së mërkurës mes Lepencit dhe Dritës (2:1) kishte pasur rrjedhë dhe përfundim të rregullt. Këtë takim, Komisioni i Garave e ka regjistruar me rezultatin e arritur në fushë, 2:1, për Lepencin.

Sipas zyrtarit të administratës së FFK-së, Bajram Neziri, Komisioni i Garave ka hapur procedurë disiplinore ndaj futbollistit të Lepencit, Pajtim Mulakut, i cili e kishte grushtuar lojtarin kundërshtar Visar Sërmaxhaj. Po ashtu, sipas Nezirit, procedurë disiplinore është hapur edhe ndaj lojtarit gjilanas Venhar Sermaxhaj, i cili ishte involvuar në këtë incident. Dënimet ndaj këtyre dy lojtarëve pritet t’i shpallë Komisioni Disiplinor i FFK-së në javën e ardhshme.

Por, kjo punë e Komisionit të Garave nuk e ka kënaqur Dritën, e cila të enjten pati kërcënuar me largim nga Superliga, nëse FFK-ja nuk ia pezullon stadiumin skuadrës nga Kaçaniku – gjë që nuk ndodhi.

Andaj, bardhekaltrit do ta mbajnë një mbledhje për ta shqyrtuar seriozisht mundësin e tërheqjes nga Superliga. “Do ta mbajmë një mbledhje me gjithë anëtarët e kryesisë dhe do ta marrim një vendim”, deklaroi për Express kryetari i Dritës, Sedat Pajaziti. Gjilanasit janë ankuar se ishin pritur shumë keq nga kaçanikasit të mërkurën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›