E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han: “Suedia, jo kundërshtari më i fortë”



Dash Frashëri

Tri ditë stërvitje me katër seanca stërvitore intensive me kuqezinjtë i kanë mjaftuar trajnerit holandez Ari Han të ndërtojë në mendjen e tij 90 për qind të formacionit që do të hedhë në fushë kundër Suedisë. Kjo është premiera e tij e parë zyrtare me Shqipërinë pas dy miqësorëve (një e humbur me Poloninë e një e fituar me Lihteshtejnin), por dhe ballafaqimi i parë i kuqezinjve në fushatën kualifikuese të Botërorit të vitit 2010, aktivitet ku marrim pjesë që nga eliminatoret e vitit 1966. Shqipëria kishte atëherë në grup Zvicrën, Holandën e Irlandën e Veriut, duke e dalë e fundit me vetëm një barazim me Irlandën e Veriut, duke i hequr edhe mundësinë kësaj të fundit të merrte pjesë në finalet e zhvilluara në Angli. Trajneri Han është i vetëdijshëm për forcën e futbollit suedez, e për më tepër njeh karakteristikat e verdhebluve nordikë, por edhe për punën që duhet të bëjnë lojtarët në dy ditët e mbetura stërvitore deri në ndeshjen kundër Suedisë, më 6 shtator 2008 në mitikun “Qemal Stafa”, atje ku Shqipëria është mundur zyrtarisht 2-1 në ballafaqimin e parë me nordikët në eliminatoret e “Italia 1990” (gol i Ylli Shehut) e ka fituar po 2-1 miqësoren e 18 shkurtit 2004, nën drejtimin e Hans-Peter Brigelit (gola të Ervin Skelës e Adrian Aliajt). Trajneri 59 vjeçar - mbush 60, më 16 nëntor - foli hapur me gazetarët për Shqipërinë që do të hedhë në fushë, por dhe për problemet që ka hasur...
Zoti Han, tri ditë stërvitje intensive, besojmë se e keni përvijuar virtualisht Shqipërinë kundër Suedisë?
Jam i kënaqur me punën, por filozofia ime është e ndryshme me atë futboll që ka luajtur Shqipëria më parë. Kjo do të thotë që për momentin unë si trajner duhet të përshtatem, pasi më mungon edhe koha për të vënë në jetë këtë filozofi. Po përpiqem që futbollistët tanë nga ana individuale të njohin më mirë rolin e tyre në fushim, pa harruar faktin, se ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Kjo do të thotë, që Shqipëria nuk do të luajë ndryshe nga ajo që ka luajtur më parë.
Pas testit të lehtë me Lihtenshtejnin dy javë më parë, ku shfaqët edhe nota pakënaqësie, tani vjen ballafaqimi zyrtar, kundër një Suedie që vjen shumë ambicioze në Tiranë.
Suedia nuk është kundërshtari i parë më i fortë për Shqipërinë
pasi ajo është në një grup shumë të fortë. E dimë se kemi një grup shumë të vështirë. Do të përpiqemi që ndeshjen e parë ta mbyllim me avantazhin tonë, pra me rezultat pozitiv, pavarësisht se dimë se do të jetë shumë e vështirë.
Kush do ta mbulojë (Zlatan) Ibrahimoviçin nga mbrojtësit?
...(Mendohet). “Ja, gut” (Po, mirë). Është natyrshëm një pyetje që na shqetëson të gjithë. Unë tashmë e kam 90 për qind ekipin në kokë, kështu që kam gjetur edhe lojtarin, i cili do ta bëjë edhe këtë detyrë. Është pak herët për të thënë emrin se kush do ta mbulojë direkt. Ne e dimë se ai është lojtari më i rrezikshëm. Golat shënohen së fundi o nga ai, ose nga sulmuesi tjetër (Henrik) Larsoni. Unë jam i bindur se këta dy lojtarë mund të bllokohen e të dalin jashtë roli. Janë të eliminueshëm.
Si keni menduar për ta përballuar Suedinë?
Ne do të reflektojmë për të ndërtuar edhe një sistem loje enkas për të neutralizuar sulmuesit suedez. Duhet të dini se në ndeshjen e fundit, Suedia ka aplikuar një sistem të ri të lojës: 3-5-2. Me këtë sistem të tyre të lojës duhet të përshtatim edhe ne lojën tonë, teksa mund të kthehen gjatë lojës edhe në sistemin e tyrë të vjetër. Me sistemin e ri ata e humbën ndeshjen (2-3 ndaj Francës në Suedi.
Në grumbullimin e fundit në Durrës në kuadër të ndeshjes kundër Lihteshtejnit deklaruat se nuk u ndjetë shuam rehat me kushtet e stërvitjes, duke zgjedhur pas thuajse pesë vjetësh, që nga viti 2003 (atëherë ishte Dosena e më pas vazhduan edhe Brigel e Bariç), jo rezidencën e Durrësit, por Tiranën e fushat stërvitore të kryeqytetit. Sa ju ka vlejtur ky ndryshim?
Përsa i përket stërvitjes, duhet të theksoj se ka ndryshim të madh. Ju e dini se kundër Lihtenshtejnit ne zhvilluam vetëm një seancë stërvitore, pasi dhe kushtet ishin të vështira.
Tashmë pas ndeshjeve me Poloninë e Lihtenshtejnit, por edhe me grumbullimet në Gjermani e Shqipëri, i njihni më mirë lojtarët edhe individualisht.
Lojtarët janë duke zhvilluar një stërvitje serioze, por nga ana tjetër duhen edhe të rriten akoma. Për fat të mirë kemi edhe dy-tri ditë kohë.
Thatë që keni konstatuar disa defekte të vogla. Cili nga repartet i kanë?
Po të keni ndjekur stërvitjet mund t’i keni konstatuar edhe ju (gazetarët). Aty ku dhe unë kam bërë ndryshimet (bëhet fjalë për mbrojtjen e sulmin).
Forma e Erion Bogdanit, si ju është dukur?
Nuk dëshiroj të hyj në hollësira e të përgjigjem për lojtarë të veçantë. Ju lutem na prisni edhe pak, kemi edhe tre seanca stërvitore.

Mungesa e finalizimit të aksioneve

“Janë disa gjëra që duhen llogaritur së bashku edhe me pjesën tjetër të ekipit. Edhe pse unë dëshiroj të luajmë një fytyrë ofensive, ne nuk po shënojmë edhe shumë gola. Kjo do të thotë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por jo duke dalë nga fryma sulmuese. Ndoshta me goditjet standarde, të lira e ato nga këndi, ne mund të jemi më të rrezikshëm. Së pari duhet të kemi një skuadër, pasi edhe lojtarët kanë standarde të ndryshme loje”.

“Besar Berisha jo me filozofinë time”

“Unë e kam parë vetëm dy herë atë. Është pak herët për të nxjerrë një përfundim. Dje kam zhvilluar personalisht një bisedë të gjatë me të. I kam thënë se çfarë unë pres prej tij”, - tha Han. Tekniku jep edhe argumentet e tij: “Ai bën diçka ndryshe nga sa luhet sot futbolli. Ai luan një mënyrë, që realisht nuk është në filozofinë time. Për këtë qëllim edhe kam folur me të në mënyrë private”.

Han: “Hidink e Advokat, dy trajnerë të zotë”

Holanda ka të shpërndarë në botë një ekip të plotë trajnerësh. Ari Han është një prej 11 teknikëve “portokalli” që drejtojnë skuadra kombëtare në gjithë botën nga Shqipëria e deri te Antilet Holandeze, madje një të tillë, Ervin Koemanin, Han do ta ketë si kundërshtar pasi ish-lojtari i madh holandez drejton Hungarinë.
Në Holandë sipas një shkrimi të botuar në revistën e FIFA-s (muaji shtator 2008) janë 400 trajnerë profesionistë. Madje Holanda me vetëm 16 milionë banorë, ka më shumë trajnerë se Gjermania me 80 milionë banorë. Në Kampionatin Botëror 2006, Holanda përfaqësohej me katër trajnerë: Marko van Bastenin me Holandën, Leo Benhaker me Trinidad-Tabagon, Gus Hidink me Australinë dhe Dik Advokat me Republikën e Koresë. Në Euro 2008 shkolla portokalli përfaqësohej me tre: Marko van Bastenin me Holandën, Leo Benhaker me Poloninë, Gus Hidink me Rusinë. “Kjo do të thotë se shkolla holandeze e trajnerëve nuk është e keqe. E ndjekin shumë”, - thotë tekniku i katërt i huaj e Shqipërisë në epokën “Duka”, pas italianit Dosena, gjermanit Brigek e kroatit Bariç. Para pak ditësh trajneri holandez i Zenit Petërsburgut, Dik Advokat, fitoi Superkupën e Europës në finalen kundër Mançester Junaitid. “Është një trajner shumë i mirë, ashtu siç është edhe (Gus) Hidink me Kombëtaren e Rusisë”. Marko van Basten, i shumë kritikuar prej Hanit humbi ndeshjen e parë si trajner i Ajaksit në kampionatin holandez (2-1 kundër Vilhem II). “S’ka gjë, - thotë ironikisht Han, - do të fitojë ndeshjen tjetër, e te Ajaksi do të jenë të kënaqur me të”.

11 trajnerët holandezë në botë
1.Shqipëria: Ari Han
2.Holanda: Bert van Marvijk
3.Australia: Pim Verbeek
4.Kazakistan: Arno Pijpers
5.Mozambik: Artur Semedo
6.Antilet Holandeze: Leen Looyen
7.Poloni: Leo Benhaker
8.Ruanda: Rene Feller
9.Rusia: Gus Hidink
10.Sejshelle: Jan Mak
11.Hungaria: Ervin Koeman

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›