E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trojanët” e Euripidit, surpriza e Butrintit çel sezonin në TK



Petrika GROSI
Për herë të parë në historinë 65 vjeçare të tij, Teatri Kombëtar ka realizuar vënien në skenën e hapur të Butrintit të një tragjedie të antikitetit grek siç është “Trojanët” e Euripidit.
Siç bën të ditur drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, kjo tragjedi që u shfaq premierë për herë të parë në korrik në festivalin e Butrintit, tashmë do të vijë e modifikuar për në skenën e mbyllur të Teatrit Kombëtar në kryeqytet dhe do të çelë sezonin e vjeshtës 2008. Tragjedia “Trojanet” e Euripidit, u prezantua për herë të parë para publikut në 415 p.e.s. dhe është pjesë e një trilogjie që flet mbi luftën e Trojës. Vepra starton me fundin e luftës së Trojës. Anijet e fituesve helenë janë gati për t’u kthyer në Greqi. Femrat trojane janë të mbledhura si robina lufte në port. Ato presin shortin që do t’i ndajë te komandantët grekë. Barbarizmi i sunduesve vazhdon deri në çastet e fundit të largimit të tyre. Gratë trojane dorëzoheshin si skllave te fituesit grekë. Hekuba është personifikimi i tragjedisë trojane. Bija e saj, Kasandra, i dorëzohet Agamemnonit dhe parashikon fatkeqësitë që do ta presin heroin në atdheun e tij. Andromaka jeton tragjedinë e humbjes së të birit, Astianaksit, që grekët e hedhin nga muret e Trojës. Helena rezulton fajtore dhe përgjegjëse. Tragjedia mbyllet me djegien e Trojës. Regjisori grek, Vangelis Theodoropuolos zgjodhi pikërisht këtë ndër veprat e tragjedianit, sepse sipas tij, Troja është Ballkani, është një vaj e gjëmë në shkrumbin e luftës, po edhe nënshtrim ndaj fatit. Hyrja është paksa e gjatë, e heshtur, një Poseidon i veshur alla frënga vërtitet në skenën me stola të gjatë të përmbysur, një Athina e veshur në të bardha, që fliste shumë bukur me gjuhën e trupit. Por trojanet e mblodhën veten shpejt. Hekuba, nëna mbretëreshë, mori në dorë situatën, për të mos e lëshuar deri në fund të tragjedisë. Një Margarita Xhepa që ka çuditur gjithë publikun me energjinë e pashtershme. Ajo, gruaja e pushtetshme e Trojës, kishte shumë për të qarë. Që nga i shoqi i therur, mbreti Priam, te i biri Hektor zulmëmadhi, i vrarë në dyluftim, e bija Polikseni, e therrur si bagëti mbi varrin e Akil Pelidit, te pallati i shkatërruar, shorti i mbrapshtë, për t’i shërbyer Odiseut, te kuja më e zezë, flijimi i Astianaksit, nipit të dashur. Vaji i Hekubës mban gjithë tragjedinë, duke u gërshetuar me ato vetanaket e Kasandrës së marrë, apo Andromakës. Ai shuhej për një çast, tulatej, për t’u ngritur sërish si një Feniks nga hiri. Vepra përmban aksion në vetvete dhe regjisori ka futur bukër në të gjuhën e trupit, për të plotësuar fjalën që shpesh është e pafuqishme, e varfër, për të dëshmuar përjetime kaq të thella. E ndërsa Margarita Xhepa ka shkëlqyer në rolin e Hekubës, Luiza Xhuvani me Andromakën dhe Ema Andrea me Kasandrën nuk mbeten pas. Falë të kaluarës si balerinë, Andrea nuk e ka problem vallëzimin në skenë. Gjithashtu, kemi dhe në Helenë të bukur e po kaq të realizuar nga aktorja Rajmonda Bulku. Jo bionde, me një veshje shik, dekolte dhe me sandale me taka e me vathë e xixa, Helena shfaqet lajkatare e shkatërruese deri në fund. Më pas, nga gjysma e shfaqjes del në pah edhe Menelau, (Arben Derhemi), i cili rrënoi një qytet të tërë vetëm për të fituar një femër.
Personazhet komunikojnë me njëri-tjetrin në sajë të Hekubës dhe përbëjnë njërin shtresëzim të veprës, pasi një tragjedi greke nuk ka sesi të kuptohet pa korin e recitimit. Një grup këngëtaresh që sipas konceptit regjisorial ndërhyn duke kënduar në stilin e polifonisë të Jugut.

Pasaporta e shfaqjes

Titulli: Trojanët
Autori: Euripidi
Përkthimi: Romeo Çollaku
Regjisor: Vangjelis Thedoropulos,
As/regjisor: Laert Vasili
Skenograf/kostumograf: Angelos Mentis,
Realizimi i kostumeve: Atelie Anila Konomi
As/skenografe/kostumografe: Maria Ilia
Koreograf: Hermes Malkotsis
Ndriçimi: Vasilis Kapsouros
Muzika: Alket Zaimi
Aktorët: Margarita Xhepa, Raimonda Bulku, Luiza Xhuvani, Guliem Radoja, Ema Andrea, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Eneida Xhelili, Sara Xhuvani, Marjeta Ljarja, Eftjola Laçka, Loredana Gjeçi, Esmeralda Metka, Monika Lubonja, Adelina Muça, Suela Bako, Nigela Ruka, Eglantina Cenoimeri, Alketa Haxhiaj, Armela Demaj, Eliona Thomaraj, Adriana Tolka, Desantila Kristo, Flaura Kureta, Anila Muça.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›