E Diel, 1 Nëntor 2026

Pele, në mbështetje të Platini-së: Mjaft më me këto rroga të çmendura

I impenjuar në turin e tij për të promovuar kandidaturën olimpike të Rio de Janeiros për Lojërat Olimpike 2016, Pele ka dalë në mbështetje të presidentit të UEFA-s, Mishel Platini: "Është i domosdoshëm një tavan shpenzimesh". Ish-ylli brazilian i futbollit i bashkohet korit të atyre që do të dëshirojnë të reduktojnë kostot e futbollit, duke nisur që nga rrogat e ekzagjeruara të kampionëve të lojës me top. Ishte e thënë që "perla e zezë" të shprehte edhe shumë herë të tjera apele të tilla në drejtim të FIFA-s, ndërsa numri 1 i futbollit botëror, Jozef Blater, nga njëra anë bën publik shqetësimin për shpenzimet e çmendura, nga ana tjetër duartroket transferimin e Kristiano Ronaldos te Reali i Madridit. "Në kohën time, tregon Pele, ishte gjithçka shumë ndryshe: nuk kishte sponsorë të mëdhenj pas shpatullave, si këta të sotmit. Është gjë e mirë që bizneset e mëdha mbështesin botën e sportit, por gjithashtu është e drejtë që FIFA të gjejë një mënyrë për të kontrolluar dhe limituar këto lloj rrogash të çmendura". Shqetësimi i kampionit brazilian është mbi të gjitha për shembullin që u jepet gjeneratave të reja të futbollistëve, të cilët rrezikojnë të jenë gjithnjë e më shumë të kushtëzuar nga këto transferime të kushtueshme. Kampionët e sotëm i duken Peles si mercenarë të vërtetë, të gatshëm të shesin dashurinë për një çantë të mbushur me shuma të mëdha parash: "Një futbollist sot shkon te Reali i Madridit dhe puth bluzën, shpjegon tri herë kampioni i botës, nesër shkon te Milani dhe e përsërit të njëjtin gjest: edhe këto janë aspekte për të cilat duhet të jesh i vëmendshëm, për të ardhmen e futbollit dhe për të rinjtë që janë të dashuruar pas tij". Mendimi i ish-flamurit të Santosit shkon më pas edhe për turin e tij për kandidaturën e Rios për Lojërat 2016: Përzgjedhja do të bëhet më 2 tetorin e ardhshëm në Kopenhagën (Çikago, Tokio e Madrid janë kandidatura të tjera). "Deri tani janë zhvilluar disa edicione lojërash në Europë dhe SHBA, por kurrë në Brazil: E di e gjithë bota që jemi gati për t‘i mirëpritur".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›