Fyle: Janë të gjitha mundësitë për marrjen e statusit të kandidatit brenda këtij viti

Bruksel/ Zhvillohet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri
Komisioneri për Zgjerimin ftoi dje të gjitha palët politike në parlament që reforma zgjedhore dhe ajo e rregullores së parlamentit të përfundojnë deri më 24 maj, kur nisin edhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri
Në Bruksel u zhvillua dje takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, forumi më i lartë ku përfaqësohen vendet anëtare, ku u diskutua ecuria e zhvillimeve në Shqipëri. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, duke e konsideruar takimin konstruktiv, kërkoi nga partitë politike në Shqipëri që të bashkëpunojnë për përmbylljen e reformave, përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. “Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar në përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politike në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj”, u shpreh Fyle.
Eurokomisioneri për zgjerimin Stefan Fule, nuk la pa shprehur edhe shqetësimin për vonesat në përmbylljen e reformës zgjedhore dhe, ashtu sikurse theksoi gjatë vizitës në Tiranë, tha se vendi nuk ka kohë për të humbur.
“Jam i shqetësuar se reforma elektorale nuk është përmbushur pavarësisht afatit të fundit që është sot. Por jam i vetëdijshëm që diskutimet janë duke vazhduar. E dimë që ka angazhim dhe vullnet nga të dy palët për të finalizuar punën. Partitë mund të kenë nevojë për kohë ekstra, është absolutisht në dorën e tyre”, u shpreh Fyle.
“Është me rëndësi që marrëveshja e nëntorit të përmbushet. Ka një kohë të përcaktuar për përmbushjen e kritereve dhe këto duhet të arrihen përpara 24 majit. Duhet të zbatohet marrëveshja e arritur mes palëve politikë në mënyrë që të arrihet edhe zbatimi i saj” ka theksuar Fyle.
Sipas Fyles, Shqipëria ka pasur progres sa i përket reformave por theksoi se duhet më shumë punë për përmbushjen e 12 kritereve e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Shqipëria përballet me një sërë sfidat ku janë të përfshira edhe 12 kriteret e BE-së dhe unë kam besim tek potencialet e saj për t`i përmbushur ato. S`ka kohë për tu humbur për sa i përket reformave”, përfundoi Fyle.
Në të njëjtën linjë edhe ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet për të plotësuar rekomandimet, ndërsa theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit do të jetë konform Kushtetutës.
“Takimi i sotëm u zhvillua në një klimë të re. Ka progres të qartë. Sot arritëm në përfundimin se Shqipëria i ka të gjitha kapacitet për të plotësuar rekomandimet. Konfirmojmë se për zgjedhjen e presidentit dhe procesi do të jetë konform Kushtetutës dhe do të jetë një sinjal se situate politike do të jetë konform marrëdhënieve me BE, por edhe në respekt të institucioneve”, tha Haxhinasto.
Nga ana e tij, kryetari i komisionit të integrimit Ditmir Bushati ka theksuar se marrëveshja e arritur nga të dyja palët në nëntor nuk është arritur plotësisht.
Sipas tij po punohet për të përmbushur reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Ndërsa ministri i jashtëm Danez Sovndal tha se fati i statusit të Shqipërisë është në dorën e politikës shqiptare.
Ndërkohë më herët, gjatë takimit të katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, u bë një vlerësim tërësor i progresit që Shqipëria ka arritur në secilin nga 12 prioritetet e Komisionit Evropian, përafrimin e legjislacionit me atë të BE, zbatimin e MSA-së si dhe mbi rolin e Shqipërisë në rajon.
Në këtë takim, u vlerësua, gjithashtu, prezenca e opozitës si pjesë e delegacionit shqiptar në këtë takim të këshillit. U ra dakord me palën europiane që afati i sotëm për reformën elektorale të mos jetë një “mur betoni”, por që gjithsesi kjo reformë duhet të mbyllet para datës 24 maj.
Në ndërhyrjen e saj ministrja Bregu theksoi se procesi i integrimit duhet të jetë një proces bashkëpunimi i sinqertë dhe, konfirmoi se mazhoranca ka shprehur vullnetin si në Komisionin Zgjedhor, ashtu dhe në Komisionin për rregulloren parlamentare, që të pranojë çdo ndryshim që përputhet me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it si dhe rregulloren e Parlamentit Europian.
Nisur nga kjo, ministrja Bregu theksoi se pavarësisht se votimi me zarf nuk është një procedurë e zakontë në Parlamentin Europian, mazhoranca është e gatshme ta pranojë edhe për zgjidhjen e Presidentit të ri, si shprehje kjo e vullnetit për të përmbyllur reformat e përbashkëta, e për të çuar përpara procesin e integrimit të vendit në BE.
Po kështu ministrja Bregu rikonfirmoi qëndrimin e mazhorancës për të votuar heqjen e imunitetit, sido që të jetë propozimi i opozitës.
Në lidhje me çështjen e Presidentit, ministri Haxhinasto konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet bazuar në Kushtetutë, në mënyrë që situata politike në Shqipëri të mos jetë pozitive vetëm për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, por edhe në vend, për të pasur një bashkëpunim më pozitiv mes të gjitha institucioneve në Shqipëri.
Haxhinasto theksoi ndër të tjera se Shqipëria ka mundësinë dhe aftësinë për të përmbushur në kohë detyrimet e procesit të anëtarësimit dhe arritjen e objektivave të përbashkëta. Ai vuri në dukje se duhen kurorëzuar me sukses çështjet e mbetura, dhe se përpjekjet konstruktive të të gjitha palëve, të angazhuara në këtë proces, duhet të vazhdojnë në këtë drejtim.
Delegacioni shqiptar në këtë takim përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe nga kryetari i komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati.
Ndërsa delegacioni i BE-së në takim kryesohej nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Villy Sovndal, në emër të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Stefan Fyle dhe Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, Fernando Xhentilini.