E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana e shekullit 21’, asgjë të përbashkët me Tiranën e betonizuar 10 vjeçarin e fundit”

16-05-2012 / Nga Sali Berisha *

Sot përzgjidhet projekti i Tiranës së shekullit XXI. Natyrisht, përzgjedhja, kur konkurrojnë studiot e një prestigji botëror, është e vështirë, por është njëkohësisht jashtëzakonisht e rëndësishme. Theksoj “Tirana e shekullit 21” sepse, për fat të keq, kryeqyteti ynë, që ka një nga vendndodhjet më të bukura, më magjepsëse, më ekologjike, më të mrekullueshme në kontinent e më gjerë, u viktimizua nga babëzia njerëzore. Tirana ka përputhjen e plotë me përshkrimin që Sami Frashëri i bëri vendndodhjes së kryeqytetit të shqiptarëve. Unë nuk e di nëse ky gjeni i shqiptarësisë, gjeni në disa fusha, kishte vizituar ndonjëherë këtë qytet, asokohe të vogël, por e vërteta është që në përshkrimin që i bën kryeqytetit të shqiptarëve nuk mund ta vendoste atë në asnjë vend tjetër të kësaj toke, përveçse në Tiranë.
Kryeqyteti pati fatin e madh, pas daljes nga perandoria osmane, periudhë në të cilën nuk ishte qendër Vilajeti, të ishte një qytet me atribute ndër më pozitivet, një qytet me rrugë të drejta, siç e përshkuan Johannes Hahn, një qytet ku gjallojnë burrat e gratë, një qytet në të cilin nuk ka të varfër, do të thoshte ky historian i shquar. Pas kësaj periudhe Tirana pati pak revansh, arkitektë dhe urbanistë të kalibrit botërorë do të derdhin gjeninë e tyre krijuare ne hapësirat dhe ndërtimet e këtij qyteti. Më pas, qyteti ra në shabllonin e arkitekturës, jo asaj të viteve 30 sovjetike sepse edhe ajo, në mënyrë të pa diskutueshme shënoi arritjet e saj, por të arkitekturës së viteve të fundit të perandorisë sovjetike, ku qyteti i bukur u bë njëlloj si Ulan Batori i asokohe, në qendrën e vet. Qyteti njohu në batërdi të vërtetë, ku dhe blloqet duhet të ishin me pagëzim sovjetik. Nuk duhet harruar se, në rast se arkitektura ishte një mjerim i vërtetë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për urbanistikën. Pati përpjekje për të ruajtur hapësirat dhe u trashëgua një respekt hapësinor. Pastaj vjen faza 3, faza e betonit, qyteti njohu një barbari njerëzore. Unë nuk kam asgjë me betonin, këtë material të mrekullueshëm me të cilën ne dhe të tjerë kanë krijuar kryevepra arkitekturore në botë, por kur betoni përdoret për të asfiksuar qytetarët, kur betoni përdoret për të rrënuar mjedisin, për të ngushtuar hapësirat, kur përdoret për të çqytetëruar qytetin që është i qytetarëve, ashtu siç ndodhi 10 vjeçarin e fundit, atëherë rëndësia e përzgjedhjes që ju bëni sot, bëhet disa herë më e madhe.
Sot do vendoset për Tiranën metropol që me dinjitet të shëmbëllejë, të bashkëpunojë me metropole të tjera evropiane. Ky është kusht themelor i ekzistencës. Kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin e kombit, duhet të shprehë vokacionin e kombit, kryeqyteti i këtij shekulli duhet të rivendosë dhe njëherë në epiqendër qytetarin. Një nga historianët më të mëdhenj në kohëra, kontraversal në disa aspekte, por gjeni në disa mendime, thotë se qyteti që nuk ka hapin e njeriut, është i lemeritshëm. Ndaj dhe uroj që të kihet parasysh shumë kjo gjë.
Zoti kryetar i Bashkisë, ju keni bërë një ndryshim të shpejtë të sheshit. Unë nuk dua të bëj komente këtu se mund të kishte edhe forma të tjera të këtij sheshi, por ai ndryshim ishte jetik, sepse sheshi ishte i egër sa vet egërsira ndaj kalimtarit, me pafundësinë e betonit e të asfaltit të tij. Ndaj mora këtë shembull për të ilustruar një  këndvështrim të ri që duhet të jetë i tëri në funksion të qytetarëve, hapësirat që atij i duhen, hapësirat e përmasave njerëzore, hapësirat që atij i duhen për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.
Ju zoti kryetar keni shpallur nismën e Tiranës ”Qyteti i shëndetshëm” dhe unë ju mbështes në këtë nismë. Ju keni rastin që, në këtë projekt, të mbani parasysh këtë nismë shumë të rëndësishme për  qytetarët e Tiranës,  sepse është e faktuar sot se 40 për qind e vdekjeve të njeriut vijnë nga ndotjet e ujit, ajrit e tokës. Për sa i përket çështjes së ndotjes,  në qoftë se nuk është përkujdesja e madhe, nëse nuk është urbanistika, nëse nuk janë mbrojtjet e shumta, qytetet kanë tendencën të shndërrohen në megapole të ndotjes dhe të kërcënimit të shëndetit njerëzor. E kam të pashlyer një apel që zoti Sazan Guri bëri muaj më parë te një zonë e ndotur, një Hot Spot, i cili vërtetë ishte burim sëmundjesh ndër më të rrezikshmet, ishte një shëmti e gjithanshme. Ndaj dhe unë kam respektin më të madh për shoqërinë civile, por në radhë të parë  për shoqërinë civile që bën avokatinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit.
Projekti që miratohet duhet të ketë parasysh ansamblin natyror të kryeqytetit. Nuk ka një ansambël natyror më të bukur sesa qyteti i Tiranës, Arkitekti që bëri Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, në inaugurim shpjegoi se të gjithë frymëzimin ai e gjeti nga malet e Krujës dhe kodrat e Prezës, sepse kishte dashur me çdo kusht t’i vizitonte sa të zbriste në Rinas, të njihej me bukuritë mahnitëse që rrethojnë aeroportin e Shqipërisë. Kjo duhet të merret parasysh edhe në këto plane urbanistike. Tirana është ëndrra jo vetëm e qytetarëve të Tiranës, por është ëndrra e mbarë shqiptarëve dhe shndërrimi saj në realitet, do të bëjë që Tirana të jetë krejtësisht tjetër. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e Tiranës të prekin, të shijojnë, të kapin, të vështrojnë të sodisin të gjithë ‘entourage’-in e qytetit. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë plotësisht. Qeveria ka qenë e gatshme të mbështesë edhe pararendësin tuaj, pro ai kishte interesa të tjera dhe jo ato të qytetarëve të Tiranës. Ndaj dhe unë ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm projektet e transformimit të Tiranës në një metropol evropian, të denjë për shqiptarët dhe kombin shqiptar.
Faleminderit!.
* Fjala e Kryeministrit, në ditën e dytë të konkursit për përzgjedhjen e projektit të Bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›