E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle raporton në PE: Në Shqipëri, politika pengoi progresin

BRUKSEL- Komisioni Europian nuk rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE, Shqipërisë.

Stefan Fyle, komisioneri Europian për Zgjerimin po prezanton para anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të marrin statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, mes tyre dhe Shqipëria.

 Fyle e quajti këtë vit si të rëndësishëm për integrimin, duke pasur parasysh dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës në Hagë.

Ai e cilësoi procesin e zgjerimit si shumë të rëndësishëm, ndërsa inkurajoi partnerët dhe vendet e interesuara që të zgjidhin sa më shpejt problemet me të cilat ndeshen dhe për të cilat ndërkombëtarët e kanë thënë fjalën e tyre.

“Ka pasur zhvillime pozitive dhe jo shumë të mira sidomos mes Kosovës e Serbisë dhe këkojmë që bisedimet të nisin”- tha Fyle. Më pas Komisioneri europian raportoi për progresin e secilit vend të Ballkanit Perëndimor

FYLE PER SHQIPERINE : NGERÇI POLITIK PENGOI PROGRESIN
“Do të kisha dashur të shikoja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar, Pavarësisht përpjekjeve ton apër të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive. Është urgjente të nisin dialogun e të mbanin një nivel bashkëpunimi që do të lejonte progresin në BE."- tha Fyle.

FYLE: KOSOVA TE NIS NE DHJETOR DIALOGUN PER VIZAT
Fyle propozin fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në dhjetor të 2011. Sfidë për Kosovën mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe reformimi i administratës. Fyle u ndal dhe në situatën në veri të Kosovës. “Ka pasur tensione në veri të Kosovës”- tha Fyle duke i kërkuar Prishtinës të ketë “axhendë për veriun”.

FYLE PROPOZON HAPJEN E NEGOCIATAVE ME MALIN E ZI
“Ka punuar shumë. Kemi parë progres të vërtetë, duke përfshirë reformat gjyqësore, ligjin e medias, elektoral, antidiskriminimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Propozoj sot të hapen negociatat me Malin e Zi, por duhet të vazhdojë me reformat dhe të konsolidojë progesin. "- tha Fyle

FYLE: T’I JAPIM SERBISË STATUSIN KANDIDAT, POR SERBIA DUHET TË NORMALIZOJË LIDHJET ME KOSOVËN
Fyle propozon dhënien e statusit të vendit kandidat, Serbisë, por nuk do të të hapë bisedimet zyrtare të pranimit, deri sa Serbia dhe Kosova të normalizojnë lidhjet e tyre. Bisedimet do nisin “në momentin kur Serbia të arrijë progres, kur të normalizojë marëdhëniet me Kosovën” – raportoi Fyle

DEBATI NË PE PER PROGRES RAPORTIN E FYLE
Eurodeputeti Kukan e cilësoi progres raportin e Komisionit Europian si “jo shumë elokuent por një raport realist.”
“Dokumente të tilla duhet të jenë një kombinim i masave që duhen ndërmarrë për të përforcuar perspektivat europiane të vendeve në rajon. Na thoni cfarë duhet bërë që të ecë përpara integrimi?”

Eurodeputetja Lunaçek tha se mirëpriste fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në dhjetor për Kosovën.

Eurodeputeti Countis shtroi pyetjen nëse do të ketë një raport të ri, të mëvonshëm për Shqipërinë, dhe nëse progresi është peng vetëm i ngërcit politik, apo dhe problemeve të tjera sociale dhe ekonomike të vendit.

NE 14:00 FYLE PARA MEDIA
Pas prezantimit të progres raportit para eurodeputetëve, rreth orës 14:00, komisioneri Fyle do të dalë në një konferencë per shtyp ku do të bëjë publik qëndrimin e KE-së për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe do jepet edhe qëndrimi për Shqipërinë.
Ndërkohë, njoftohet se përfaqësuesi i KE-së në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi pritet t'u dorëzojë sot zyrtarisht autoriteteve të larta shqiptare, progres raportin e hartuar për Shqipërinë, ndërkohë që në orën 19.00 në Qendrën e Informimit të BE-së ai do të dalë në një konferencë për shtyp.
Një vit më parë në opinionin e tij për Shqipërinë, BE përcaktoi 12 prioritetet kyç, plotësimi i të cilave do të hapte rrugën që vendi të merrte statusin e vendit kandidat.
(s,g/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›