Rama: PS, 30% gra në kuvend
Aristir Lumezi
Do të kemi 30 për qind gra në kuvend dhe jo vetëm në listat e kandidatëve. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim me pedagoge, gra e vajza në Durrës deklaroi se duhet të shkohet përtej kuotave të përfaqësimit të tyre në Kuvend. "Një shoqëri e balancuar në aspektin gjinor, mund të përballojë me më shumë sukses sfidën e luftës me varfërinë, dhunën, injorancën, korrupsionin, me papunësinë. Rritja e pjesëmarrjes së gruas përballon sfidën e luftës me varfërinë", tha Rama. Sipas kryesocialistit, në takimin me pedagoget dhe gratë e Durrësit, PSSH do të bëjë të mundur që në Kuvend të ketë si forcë politike 30% gra e vajza, jo vetëm në lista. "Problemi është, që ta shohim çështjen e barazisë gjinore në një shtrirje shumë më të gjerë. Eshtë shumë e rëndësishme që ne të shkojmë përtej kuotës në Kuvend. Çështja është se si këtë strukturë përfaqësimi ta shtrijmë më poshtë, në këshillat bashkiak apo komunal" tha Rama.
Ai shtoi më tej se personalisht ishte i vendosur që Partia Socialiste ta respektojë kuotën e 30 %, duke llogaritur që të ketë në parlament 30 % të grave dhe jo në lista, e pastaj kur të dalin të jenë të gjithë burra. Kreu socialist kërkoi që çështja e barazisë gjinore të mos jetë hipokrizi, ndërsa ligji sipas tij duhet ta ndëshkojë atë. "Për të mos e kufizuar këtu, sepse kuota është shprehja e vullnetit për të shkuar drejt një politike të një barazie gjinore dhe forcat politike, Partia Socialiste e para duhet të angazhohet që kuota e grave dhe vajzave në listat e deputetëve të mos jetë hipokrizi dhe që ligji të mos lejojë që në të njëjtën kohë që e kërkon, i jep mundësinë për ta anashkaluar me një masë ndëshkimore qesharake. Por, përtej kuotës ne duhet të shkojmë te politikat e përfaqësimit në nivelet e administratës publike, në nivelet e drejtimit në të gjithë sektorët, në nivelet e trajtimit të çështjes së barazisë gjinore në politikat sektoriale", tha Rama. Kreu socialist kërkoi gjithashtu angazhim më të madh të grave dhe vajzave që jetojnë në fshat në jetën publike, duke bërë kështu dhe ndryshimin e mentalitet patriarkal shqiptar.
PS'91 krijon degën në Durrës
PS '91 ka krijuar degën e saj në qytetin e Durrësit. Paqësor Zeneli është zgjedhur kryetar i kësaj partie për këtë rreth. Në takimin e rastit kanë qenë të pranishëm kryetari i saj, Petro Koçi, Makbule Çeço, Gjergji Koja etj. "Rama dhe Berisha bëjnë mes tyre një betejë-teatër". Ata bashkë ndryshuan kushtetutën për tre orë, bashkë po betonojnë Tiranën, bashkë po fshehin Gërdecin dhe bashkë po përfshihen me mafian ballkanike. Fazlliç është lidhur me Berishën, ndërsa Rama me Delijorgjin", akuzoi Petro Koçi. Sipas tij, jo vetëm kryeministri aktual por edhe drejtuesit e së majtës shqiptare janë kapur me "presh në dorë", duke bërë pazarllëqe nga më të rëndat. Ndërsa sekretari i marrëdhënieve me publikun, Koja tha se "e djathta ka kapur çdo gjë që nga Presidenti, Prokuroria, KLD-ja, Kushtetuta, Kodi Zgjedhor etj., dhe bashkëfajtor është Edi Rama".