E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Qeveria ka mashtruar qytetarët për tokën e parkut energjitik

 

Banorë të zonës së Portoromanos iu bashkuan dje një proteste të aktivistëve të G99 nga Tirana dhe Durrësi, në një organizim pranë tokave të Portoromano, që janë blerë nga biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, dhe që planifikohen të kthehen në një park energjitik. Erion Veliaj së bashku me aktivistë rinorë të G99 vizituan zonën dhe vendosën aty disa pankarta proteste ku lexohej: "Korrupsioni 1 euro", "Zgjidhe mikun më të korruptuar se veten", "Shqipëria 1 euro vetëm për Fazlliçët", "Portoromano: shërbejmë vetëm për familjarë", "Një tokë sot, një TEC mot" etj. Duke folur për qytetarët e mbledhur në këtë tubim, Veliaj akuzoi qeverinë se i mashtroi banorët e kësaj zone, se toka e tyre nuk vlente pasi ishte e helmuar nga kimikatet. "Ajo që po kuptojmë sot, si në Tiranë, si në Portoromano, është që ka dy Shqipëri, një Shqipëri që është ajo e Berishës dhe një e të gjithë shqiptarëve. Shumë prej jush më treguan sesi këtu toka është shitur për dy lekë. Toka e Sali Fazlliut fillon këtu që nga depozitat dhe vazhdon njëzet hektarë, sa është gjithë sipërfaqja e Tiranës. Dhe shumë prej jush u ankuan me plot të drejtë sepse kjo qeveri u tregoi të gjithë shqiptarëve se toka ishte e helmuar, se nuk kishte asnjë shans të ndërtohej diçka dhe një njeri i vetëm, serbi Fazlliç, e dinte që toka do të ishte një tokë milionere. Pyetja që ne si shqiptarë kemi sot është: nëse ky njeri shet dhe blen tokën shqiptare, pse nuk i paguan taksat shtetit shqiptar, si ka mundësi që ju të gjithë duhet të paguani taksa për specat dhe domate që blini ose shisni kurse ai nuk paguan asnjë taksë për miliona eurot e tokës", tha Veliaj. Kreu i G99 i bëri thirrje banorëve të bashkohen me opozitën për të larguar me votë këtë qeveri të korruptuar. "Kjo qeveri e filloi mandatin e vet me mësimin e kodeve për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe po e mbyll mandatin e vet me mësimin e Kodit Penal, me dënimet që po marrin gjithë ministrat e saj. Sot të gjithë ambasadorët, ai amerikan dhe ambasadorët e BE, të gjithë po thonë që Sali Berisha e ka gabim, ashtu si media dhe opozita. Ju ftojmë që të gjithë të jemi bashkë dhe mos të dorëzohemi sepse kanë ngelur vetëm 6 muaj deri në ndryshimin e qeverisë dhe ne kemi gjithë shanset që jo vetëm këtë padrejtësi por dhe gjithë padrejtësitë e kësaj qeverie, të këtij kryeministri t'i sjellim përpara ligjit dhe drejtësisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›