E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, rrugë e mundimshme

Progres-raporti vjetor i Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit, është një dokument tejet i rëndësishëm dhe mbi të gjitha ai merret mjaft seriozisht nga vetë autorët e tij. Për ta, ajo nuk është gjë tjetër veçse analizë-skaner mjaft i detajuar i zhvillimit demokratik të secilit vend. Eksperienca ka treguar se ai shërben si gur themeli në ecurinë e mëtejshme të raporteve mes Komisionit Evropian dhe secilit shtet. Këtë vit, ndaj Serbisë, ai ishte kritik. Në fushatën e fundit politikanët reformatorë u inkurajuan hapur në përballjen e tyre më përcaktuese përballë elementëve ultra-radikalë. I gjithë arsenali politik, mediatik dhe ekonomik i BE-së u përdor me mjeshtëri. Si për të konfirmuar edhe një herë premtimin e bërë pro Presidentit Boris Tadiç, dhe mbështetësve të tij, vendimmarrësit në Bruksel dhe kancelaritë politikëbërëse evropiane vazhdojnë të artikulojnë në kor faktin se inkurajimi i mëtejshëm i këtij blloku përbën prioritet jetik për perspektivën integruese të Serbisë.

Kjo shënon, megjithatë, vetëm njerën anë të medaljes. Ndonëse Brukseli ka rezerva për zhvillimin ekonomik dhe problematikën vërtet tejet komplekse të demokracisë serbe, ai gjithësesi po i anashkalon disi me argumentin se arrin t’i mirëkuptojë “vështirësitë e rritjes”. Por, gradualisht, Komisioni Evropian duket se nuk e toleron më qëndrimin e “vrazhdë” të Beogradit ndaj Kosovës. “Kosova është shtet i ri që gradualisht po i drejtohet Bashkimit Evropian. Misioni EULEX është mjaft i rëndësishëm për ne, për vetë Kosovën dhe për mbarë rajonin. Ai është parakusht që Ballkani të jetë i qëndrueshëm, që zhvillimi ekonomik dhe social i tij të përparojë dhe të vendoset ligji dhe siguria e plotë”, - deklaroi Jozef Lloveras, Ambasadori i KE-së në Serbi.

Kjo fjali, reflekton një fakt tejet domethënës. Bashkimi Evropian, duke qenë së pari institucion gjithëpërfshirës dhe, së dyti, për shkak se pjesa më e madhe e vendeve anëtare të tij e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kërkon nga Serbia që, pavarësisht prej ndjeshmërisë së lartë që ajo ka ndaj kësaj çështjeje, fillimisht duhet të reflektojë dhe më pas, gradualisht, të ndryshojë tërësisht qëndrim ndaj çështjes së Kosovës. Ky raport nuk bën gjë tjetër veçse nënvizon se në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të politikës së brendshmë serbe, qëndrimi ndaj Kosovës mbetet jo vetëm tërësisht i gabuar, por edhe destabilizues; një koncept ky totalisht i papranueshëm, duke qenë se kryefjala e zgjerimit dhe e vetë BE-së është stabilizimi i plotë dhe zhvillimi demokratik i të gjithë rajonit.

Kosova tashmë është një realitet i ri, konkret dhe funksional i njohur dhe nën vëzhgimin e rreptë të Brukselit, që ka marrë përgjegjësi për fatin e saj. Beogradit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fillojë që ta pranojë atë. Ky mesazh është nënkuptuar vazhdimisht, por ndoshta në mënyrën më direkte dhe më të qartë ai u artikulua nga ministri i Jashtëm britanik, David Milliband, pikërisht gjatë qëndrimit të tij në Beograd. “Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në familjen evropiane, ajo duhet të ndajë të njëjtat qëndrime dhe koncepte si ne. Kosova është pjesë e një realiteti të ri, të cilin duhet ta pranojë dhe ta njohë,” - ishte deklarata e shefit të diplomacisë britanike.

Politikanët serbë janë plotësisht të ndërgjegjshëm për sfidën, apo më saktë për dilemën me të cilën ballafaqohen. Nga njëra anë, ata shohin një realitet të admirueshëm dhe të lakmueshëm tek Sllovenia fqinje, anëtare e BE-së prej vitit 2004, si dhe tek rivali i tyre i përjetshëm, Kroacia, e cila aktualisht është thuajse në finishin e anëtarësimit. Nuk është pak që këto dy shtete, tejet të rëndësishme dhe me peshë tashmë në Ballkan, ishin ndër të parat që e njohin pavarësinë e Kosovës. Fakti që veprimi i tyre u ndoq edhe nga dy fqinj të tjerë si Maqedonia dhe Mali i Zi, bëri që politikanët serbë të binden minimalisht se Kosova është një shtet i ri, që tashmë ka hyrë në rrugën e demokratizimit dhe të përafrimit me Bashkimin Evropian. Por, nga ana tjetër, me përjashtim të ndonjë zëri të vetmuar në skenën e brendshme, askush nuk guxon ta përmendë këtë fakt me zë të lartë. Ata janë tashmë viktimë të propagandës së tyre të verbër nacionaliste.

Aktualisht, një tjetër “betejë politike“ ka nisur mes Brukselit dhe Beogradit, duke e acaruar klimën e ndërsjellë. Dhe, sërish, në mes është Kosova. Bëhet fjalë për dislokimin e misionit të drejtuar pikërisht nga Bashkimi Evropian në territorin e Republikës së Kosovës. Shefi i politikës së Jashtme, Havier Solana, nënvizoi së fundi se probleme ka, por shpreson në gjetjen e zgjidhjes. Nga ana tjetër qëndron intransigjenca serbe. Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, u shpreh se Beogradi ka një tjetër strategji: “Politika jonë zyrtare është të afrohemi me BE-në, por ne nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës. Këto janë dy çështje tërësisht të ndara dhe duam të mbeten të tilla. BE-ja duhet të plotësojë kërkesat tona për EULEX-in, përndyshe, ne refuzojmë çdo lloj rikonfigurimi të misionit civil ndërkombëtar”. Realiteti i brendshëm mbetet kompleks, ndërsa i Evropës i kthjellët. Beogradi tani e ka mëse të qartë se pa pranuar Republikën e Kosovës, e ardhmja evropiane mbetet vegim. Transformimi i mirazhit në realitet varet sërish prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›