Ultimatumi i Obamës: Hiqni dorë!
Presidenti amerikan, Obama, dhe liderë të tjerë perëndimorë, kanë akuzuar dje Iranin për ndërtimin e armëve bërthamore në mënyrë të fshehtë dhe i kanë kërkuar Teheranit që të ndërpresë menjëherë atë që u cilësua si "sfidë e drejtpërdrejtë" ndaj komunitetit ndërkombëtar. Obama e bëri kërkesën e tij publikisht së bashku me Kryeministrin britanik, Braun, dhe Presidentin francez, Sarkozi, në takimin e G20-ës në Pitsburg të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Ka ardhur koha për Iranin që të verë në vend menjëherë besimin e komunitetit ndërkombëtar, duke përmbushur detyrimet e tij ndërkombëtare", deklaroi Obama, duke shtuar se Teherani kishte vite që ndërtonte një fabrikë të fshehtë. Sipas burimeve të Agjencisë së Energjisë Bërthamore, Irani kishte në ndërtim një tjetër uzinë bërthamore. Teherani nga ana e tij ngulmon se qëllimi i ndërtimit të uzinës është thjesht për qëllime civile. Sipas një burimi, uzina iraniane ka edhe disa muaj në dispozicion për të instaluar të gjitha centrifugat dhe për t‘u vënë në funksion. Në Kombet e Bashkuara, një zyrtar i lartë iranian tha se "ky lajm nuk ishte i vërtetë". Çështja bërthamore e Iranit është shndërruar tashmë në pikën e përhershme të axhendave të takimeve ndërkombëtare dhe duket se tashmë është në një shkallë më të agravuar. Presidenti Obama në fillim të presidencës së tij ishte për një marrëdhënie dhe dialog të hapur me Iranin, por ky i fundit ka vazhduar që të ndjekë linjën e tij, duke rënë ndesh me kërkesat e komunitetit ndërkombëtar.