E Diel, 1 Nëntor 2026

G7 kërkon reagim të fortë ndaj krizës

Grupi G7 i përbërë nga fuqitë e mëdha industriale, pas një takimi në Romë, përpara frikës së shtimit të prirjeve proteksioniste nga ana e shteteve, deklaroi se do të bënte gjithçka mundej për të luftuar recesionin dhe shtrëngimin e tregtisë së lirë. Njëherësh u vendos për një qëndrim më pajtues karshi Kinës, shtet që nuk bën pjesë në këtë grup, e cila para dy javësh u akuzua nga sekretari amerikan i Thesarit se po manipulon këmbimin valutor në dobi të vet.

Deklarata e G7-ës ndryshoi pak nga drafti i saj i bërë publik pak kohë më parë, në të cilin u kërkohej qeverive të mos ndërmerrnin veprime të veçuara në emër të mbrojtjes së ekonomive përkatëse në dëm të përkushtimit për bashkëpunim të gjerë për të luftuar krizën. Po dje, Kongresi Amerikan miratoi një plan për shpëtimin e ekonomisë me një paketë prej 787 miliardë dollarësh, të cilat do të përdoren në projekte ndërtimi me kushte që të përdoren çeliqe dhe produkte të tjera amerikane.

Në deklaratën e përbashkët të G7-ës thuhej se stabilizimi i ekonomisë dhe tregjeve financiare qe një nevojë urgjente, gjë që do të thotë se të gjitha duhet të bashkërendojnë punën dhe të përdornin në këtë kuadër çdo mundësi. Në takimin dyditor të nisur të premten, Gjermania dhe Britania paralajmëruan se bota rrezikon të shohë të përsëritet spiralen e dëmshme të proteksionizmit që u pa gjatë Depresionit të Madh.

Deklarata e përbashkët kërkon të vërë theksin mbi ato masa që duken si kontradikta mes zotimeve për tregti të lirë dhe veprimeve që nuk mund të konsiderohen si të tilla, siç është klauzola "Bli në Amerikë" e paketës së sapomiratuar në SHBA, apo planet kombëtare për shpëtimin e industrisë së prodhimit të automjeteve në Francë e Itali.

Takimi i G7-ës, ku merrnin pjesë ministra dhe drejtues të bankave qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Japonisë, Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë e Kanadasë, mund të konsiderohet hap i parë drejt takimit të G20-ës, një grupim edhe më i madh ku përfshihen edhe tregjet në zhvillim. Kriza aktuale financiare, e konsideruar si më e rënda që prej asaj të viteve tridhjetë, nisi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rënien e tregut të pasurive të paluajtshme, gjë që u reflektua shumë shpejt në të gjitha institucionet financiare që kishin investuar aty.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›