E Shtunë, 31 Tetor 2026

G7 miraton planin e shpëtimit: Shtetëzim i pjesshëm i bankave

Ministrat e Financës nga
Grupi i Shtatë
ekonomive më të zhvilluara
të planetit, përfshi Shtetet
e Bashkuara të Amerikës deri
Britaninë e Madhe, të mbledhur
në Uashington deklaruan se ishin
të gatshëm që të hidhnin
paratë publike te bankat, në
mënyrë që t‘i parandalonin ato
nga kolapsi. Kjo marrëveshje erdhi
pas deklaratës së ministrit
britanik të Financave, që vendi
i tij po kalonte një krizë financiare
të pa përjetuar kurrë më
parë dhe pas një jave që mund
të konsiderohet për tregjet financiare,
si ndër më e keqja në
historinë e tyre. Aksionet u
reduktuan në një të pestën e tyre
në të gjitha bursat kryesore të
botës. Në takimin e Uashingtonit,
G7 prezantoi një plan me 5
pika për të ndalur trazirat, përfshi
edhe premtimin për të siguruar
bankat që mbledhja e kapitalit
si nga burimet publike, ashtu
edhe nga ato private do të rifillojë
shumë shpejt dhe se besimi
te këto institucione do të rivendoset.
Sipas kësaj marrëveshjeje,
vendet e G7, pra
përveç dy të sipërpërmendurave
edhe Japonia, Franca, Italia dhe
Kanadaja do të jenë të lira që të
nisin blerjen e aksioneve bankare
me paratë e taksapaguesve.
Sekretari amerikan i Thesarit,
Hank Poulson, tha se po përgatitej
që të përdorte 700 miliardë
dollarët për të ndihmuar bankat
në nevojë. Situata e bursës së
Nju Jorkut në ditën e saj të fundit
të javës ishte e frikshme me
aksionet që ranë me 21% këtë
javë. Pavarësisht sigurimeve gojore,
që kanë marrë gjatë fjalimeve
të fundit të Presidentit
Bush, aksionet e Wall Street kanë
ardhur duke rënë. Marrëveshja
e arritur nga ministrat e Financave
përfaqëson një tentativë të
fundit të përbashkët të qeverive
për të parandaluar përkeqësimin
e krizës financiare javën
e ardhshme. Sipas disa ekspertëve,
nëse sistemi financiar
nuk do të fitojë besimin e duhur,
mund të shembet plotësisht,
duke i hapur kështu
rrugën situatës më të rëndë
ekonomike të përjetuar nga
bota që nga viti 1930. Deklarate
e G7, e cila është një ndër më të
rëndësishmet në dhjetëvjeçarët
e fundit thotë shprehimisht:
"Situata aktuale është urgjente
dhe ka nevojë për ndërhyrje
urgjente dhe për marrjen e
masave të jashtëzakonshme".
Për Poulson, deklarata e G7 është
një plan veprimi agresiv, që
do të ndërmerret për të qetësuar
situatën e turbullt. Ndër 5
pikat e marrëveshjes ishte
premtimi për mbrojtjen e llogarive
të depozituesve, nëse
bankat do të falimentonin. Pas
këtij plani ekziston ende frika
nëse ai është i mjaftueshëm apo
jo për daljen nga kriza dhe për
ndaljen e rënies së aksioneve,
megjithatë kjo mbetet për t‘u
parë ditët në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›