G99: Qeveria nuk ua siguron jetën shtetasve të saj
Lëvizja G99 reagoi pas tragjedisë së ndodhur në Librazhd, duke bërë përgjegjës shtetin. Sipas G99, nuk është hera e parë që mungesa e infrastrukturës më thelbësore bëhet shkak për humbjen e jetës së shqiptarëve; nuk është hera e parë që jeta e qytetarëve shqiptarë varet në fije të perit, vetëm sepse qeveria nëpërmjet politikave të saj publike të dështuara nuk ka arritur të plotësojë mungesat e infrastrukturës. Për G99, fatkeqësi si ajo e djeshmja janë dëshmia e radhës se si qeveria aktuale ka dështuar në sigurimin e jetës së qytetarëve të saj. Këto ditë jemi bombarduar nga qeveria "Berisha" me spote televizive dhe mesazhe në celular mbi mijëra kilometrat e rrugëve dhe urave që ai na paskësh ndërtuar. G99 konstaton me keqardhje që asnjë nga ato kilometra nuk paska arritur në këtë fshat të mjeruar, i cili dje humbi dy nga banorët e tij. Sipas G99 kanë mbetur dhe vetëm 35 ditë shurdhëri, kanë mbetur dhe vetëm 35 ditë indiferencë ndaj sigurisë së jetës. G99 i fton të gjithë qytetarët, që në datën 28 qershor, me votën e tyre të zgjedhin respektin për burimin më të çmuar të këtij vendi, jetën e shqiptarëve.