E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/ministri grek pret shirita rrugësh në Sarandë

Theodhoros Kasimis, zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, i konsideruar nga minoritarët grekë në Shqipëri si "ministri i tyre", është shfaqur me gërshërë në dorë në disa komuna të banuara në shumicë nga pakicat greke. Një varg veprash, si rrugë të brendshme fshatrash dhe ura lidhëse, janë përuruar pasditen e djeshme. Ato kanë nisur nga qendra e fshatit Mesopotam të nënprefekturës së Delvinës, për të vijuar në fshatin Krane të po kësaj komune, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e komunikimit të brendshëm të fshatrave. "T‘i gëzoni këto e të tjera vepra që vijnë më pas", ka uruar Kasimis, teksa ka prerë shiritin. Bëhet fjalë për rrugë deri në 300 metra, të shtruara me beton, për shkak të pjerrësisë së madhe të terrenit, që lidhin këto fshatra me rrugën nacionale. Kryekomunari i Mesopotamit, Themistokli Kaishi, tha se janë tre fshatra të kësaj komune, duke përfshirë edhe investimin e Kostarit, që shkojnë nga 13-15 mijë euro secila, të financuara nga Ministria e Jashtme greke, nëpërmjet konsullatës greke në Gjirokastër. "Zoti Kasimis, tha ai, nuk ka prerë thjesht shiritin, por ka parë në vend realizimin e investimit sipas projektit dhe cilësisë së parashikuar". Një rrugë tjetër dytësore, gjithashtu e shtruar me beton, që lidh qendrën e Komunës së Finiqit me Karahaxhin, ishte një tjetër ndalesë dhe përurim që ka bërë mbrëmjen e djeshme zëvendësministri Kasimis. Pas kësaj, prerja e shiritave ka vijuar në një segment rruge në fshatin Vrion e mandej, i pritur nga banorë të fshatit Vromero, po të Komunës së Finiqit, Kasimis ka përuruar urën e re të këtij fshati, investim ky që u jep fund peripecive të shumta të banorëve për të dalë në rrugën kryesore. Kryekomunari Ziso Lluci tha se Finiqi ka qenë në qendër të kujdesit të Ministrisë së Jashtme greke për investimet në infrastrukturë. Në përurimin e bërë në Krane, Kasimis është takuar përzemërsisht edhe me ish-ministrin Barka. I pyetur për qëndrimin e Greqisë ndaj ndarjes së drejtuesve të PBDNJ-së në dy kahe të politikës shqiptare, zëvendësministri i Jashtëm, Kasimis, është shprehur se këto janë zhvillime të natyrshme, me të cilat ne nuk duhet të përzihemi dhe se "çdo minoritar grek është i lirë të shprehë vullnetin e tij politik se në ç‘mënyrë të votojë më 28 qershor". Qëndrimin larg ndikimeve në politikë Kasimis ka dashur ta tregojë edhe me gjestin e një darke në një lokal buzë detit në Sarandë, ku kanë qenë vetëm kryetarë të komunave të minoritetit dhe asnjë drejtues i "Omonias"-s apo i PBDNJ-së në Sarandë e Delvinë. Në këto përurime, zëvendësministri Kasimis shoqërohej nga ambasadori i Greqisë në Tiranë, zoti Nikollaos Pajzos, nga konsulli i Greqisë në Gjirokastër, zoti Joanis Rizopulos, si edhe nga një grup i madh gazetarësh të agjencisë shtetërore të lajmeve ANNA, të disa gazetave kryesore greke dhe kanalit televiziv shtetëror EPT etj. Sot pritet që "gërshëra" e zotit Kasimis të presë shirita "investimesh të vogla" në fshatin Çukë e Aliko të Komunës së Alikos në nënprefekturën e Sarandës e mandej në Bashkinë e Himarës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›