Topalli: Ne jemi qeveria e premtimeve të mbajtura
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", u ndal në Rrëshen. Gjatë takimit me banorët e Rrëshenit, Topalli nuk i ka kursyer akuzat dhe kritikat ndaj kryetarit të PS-së, njëherësh dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ne, tha Topalli, jemi qeveri e premtimeve të mbajtura dhe jo e mashtrimeve dhe vjedhjeve, siç ka bërë kryetari i Bashkisë së Tiranës me kryeqytetin. "Ne kemi treguar se kur e themi fjalën, e mbajmë atë. Këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i fjalës së mbajtur, këto 4 vite kanë qenë konfirmimi i premtimeve të mbajtura", ka nënvizuar Topalli. Më pas ajo renditi disa nga sukseset e qeverisë "Berisha", duke thënë se "nuk është vetëm infrastruktura dhe rritja e rrogave; nuk është vetëm rritja e pensioneve dhe rritja e buxhetit; nuk është vetëm dyfishimi i të ardhurave; por është rritja e turizmit; është rritja e eksporteve; është dixhitalizimi; është ulja e vjedhjes, e korrupsionit; është rritja e imazhit, zbukurimi i imazhit tonë, zbukurimi i imazhit të shqiptarëve".